Irani: Fronte të reja të mundshme nëse agresioni izraelit në Gaza vazhdon

Irani: Fronte të reja të mundshme nëse agresioni izraelit në Gaza vazhdon

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Hossein Amir-Abdollahian ka deklaruar se është e mundur të hapen fronte të reja kundër Izraelit nëse ai vazhdon sulmin kundër Gazës, transmeton Anadolu.

Amir-Abdollahian foli për kanalin “Al Mayadeen” me bazë në Bejrut pas mbërritjes së tij sot herët në kryeqytetin libanez.

Shefi i diplomacisë iraniane tha se operacioni “Tufani i Aksa-së” i nisur nga Hamasi erdhi si përgjigje ndaj “krimeve të entitetit sionist”, duke iu referuar Izraelit. Amir-Abdollahian tha se “vendet dhe popujt muslimanë nuk i pranojnë shkeljet e vazhdueshme kundër popullit palestinez”.

Ai theksoi se “Izraeli dhe mbështetësit e tij” janë plotësisht përgjegjës për rezultatet e sulmeve të vazhdueshme ndaj popullit palestinez. Sipas tij, bisedimet që Irani po zhvillon me Arabinë Saudite vijnë si pjesë e strategjisë së Teheranit për të mbështetur Palestinën.

Në një zhvillim serioz në rrjedhën e sulmeve izraelite në Gaza, Izraeli ka informuar Kombet e Bashkuara (OKB) për domosdoshmërinë e evakuimit të Gazës veriore brenda 24 orëve.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujjaric mbrëmë vonë tha se ushtria izraelite e informoi OKB-në se “gjithë popullsia e Gazës në veri të Wadi Gazës duhet të zhvendoset në Gazën jugore brenda 24 orëve të ardhshme”.

Konflikti i vazhdueshëm filloi kur grupi palestinez i rezistencës Hamas nisi operacionin “Tufani i Aksa-së”, një sulm i befasishëm me shumë fronte që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe infiltrimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite si përgjigje nisi një operacion kundër objektivave brenda Rripit të Gazës.

Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës së rrethuar është rritur në 1.537, ndër të cilët të paktën 500 fëmijë dhe 276 gra, ndërsa mbi 6.600 të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë, sipas Korporatës së Transmetimeve Publike të Izraelit (KAN), numri i viktimave izraelite nga operacioni i Hamasit ka arritur në 1.300 ndërsa numri i të plagosurve është raportuar në të paktën 3.300.

MARKETING