UNICEF: Një numër i madh i fëmijëve në mesin e viktimave në Gaza

UNICEF: Një numër i madh i fëmijëve në mesin e viktimave në Gaza

Në mesin e viktimave të bombardimeve në Rripin e bllokuar të Gazës janë një numër i madh fëmijësh, tha të premten UNICEF-i, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të dhunës, raporton Anadolu.

“Jemi të tmerruar nga skenat që vijnë nga Gaza. Një numër i madh fëmijësh mes viktimave”, tha UNICEF në X, duke theksuar se një milion njerëz nuk kanë vend të sigurt për të shkuar.

“Kjo është e papranueshme dhe dhuna duhet të ndalet menjëherë”, kërkoi agjencia e OKB-së.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën një fushatë të ashpër dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, një përgjigje ndaj ofensivës ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Al-Aksa-së” kundër Izraelit, një sulm i befasishëm shumë-dimensional që përfshinte lëshimin e një breshërie raketash dhe infiltrimin në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se ishte një hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpata e Hekurt” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Izraeli ashpërsoi masat duke ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në zonën që tashmë ishte në një rrethim të hekurt që nga viti 2007.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 1.537 palestinezë, përfshirë 500 fëmijë dhe 276 gra ndërsa janë plagosur 6.612 të tjerë.

Ndërkohë, numri i viktimave izraelite nga operacioni “Tufani i Al-Aksa-së” ka arritur në 1.300 dhe numri i të plagosurve në 3.300, njoftoi Korporata e Transmetimeve Publike Izraelite (KAN).

MARKETING