Liga Arabe i kërkon shefit të OKB-së të parandalojë evakuimin e banorëve të Gazës

Liga Arabe i kërkon shefit të OKB-së të parandalojë evakuimin e banorëve të Gazës

Liga Arabe i kërkoi të premten Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres që të ndërhyjë për të parandaluar evakuimin e banorëve të Gazës, raporton Anadolu.

Apeli i Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmad Aboul Gheit për Guterres vjen pas kërkesës së ushtrisë izraelite për të zhvendosur të gjithë popullsinë nga Gaza dhe pjesët e saj veriore drejt jugut të Gazës.

Aboul Gheit e përshkroi thirrjen izraelite si “një krim lufte që Izraeli planifikon ta kryejë si pjesë e fushatës së saj të turpshme të përgjakshme kundër Rripit të Gazës”. Ai theksoi se plani izraelit i evakuimit “do të çojë në vuajtje të pakufizuara për vëllezërit tanë palestinezë në Gaza”.

Sipas tij, kërkesa izraelite shkel në mënyrë të hapur Konventën e Katërt të Gjenevës që ndalon zhvendosjen e detyruar të popullsisë. Aboul Gheit i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të dënojë këtë plan izraelit dhe të ndalojë zbatimin e tij.

Ushtria izraelite të enjten vonë informoi OKB-në “që e gjithë popullsia e Gazës në veri të Wadi Gazës duhet të zhvendoset në Gazën jugore brenda 24 orëve të ardhshme”, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric në një deklaratë.

Konflikti filloi të shtunën kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit, një sulm i papritur shumë-dimensional, përfshirë lëshimin e një breshërie raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit. Hamasi tha se operacioni ishte hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpata e Hekurt” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Izraeli ashpërsoi masat duke ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në zonën që tashmë ishte në një rrethim që nga viti 2007.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 1.537 palestinezë, përfshirë 500 fëmijë dhe 276 gra ndërsa janë plagosur 6.612 të tjerë. Në sulmet e ushtarëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 36 palestinezë ndërsa janë plagosur rreth 650 të tjerë.

Numri i të vdekurve izraelitë nga operacioni i Hamasit ka arritur në 1.300 dhe numri i të plagosurve u raportua në 3.300, sipas Transmetuesit Publik izraelit (KAN).

MARKETING