Rusia paralajmëron për pasojat e operacionit të mundshëm tokësor izraelit në Gaza

Rusia paralajmëron për pasojat e operacionit të mundshëm tokësor izraelit në Gaza

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se viktimat civile do të jenë “absolutisht të papranueshme” në rast të një operacioni tokësor izraelit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Duke folur në një takim të krerëve të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS), që po mbahet në kryeqytetin Bishkek të Kirgistanit, presidentit Putin tha se përdorimi i pajisjeve të rënda ushtarake në zonat e banuara mbart rreziqe të konsiderueshme për të gjitha palët e përfshira, megjithatë kryerja e operacionit pa të paraqet grupin e vet të sfidave.

Presidenti rus fajësoi SHBA-në për përshkallëzimin aktual në konfliktin Palestinë-Izrael, duke theksuar se Washingtoni me ndihmën e masave të caktuara të stimulimit ekonomik u përpoq të zgjidh problemin politik, përkatësisht krijimin e një shteti palestinez.

“Përshkallëzimi aktual është rezultat i drejtpërdrejtë i politikës së dështuar të SHBA-së në Lindjen e Mesme. SHBA-ja u përpoq të monopolizojë zgjidhjen e Lindjen së Mesme, por nuk ishte e shqetësuar për gjetjen e kompromiseve dhe nuk morën parasysh interesat themelore të popullit palestinez”, tha Putin.

Presidenti rus theksoi se Washingtoni bllokoi punën e Katërshes së Lindjes së Mesme, grupit që Rusia, Bashkimi Evropian (BE), Kombet e Bashkuara (OKB) dhe SHBA-ja e formuan për të adresuar çështjet e konfliktit Palestinë-Izrael.

Sipas tij, e gjithë kjo gradualisht çoi në acarimin e sotëm dhe për këtë, tha ai, do të flitet në një takim joformal.

Ai gjithashtu përsëriti gatishmërinë e Rusisë për të vepruar si ndërmjetës në zgjidhjen palestinezo-izraelite.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën një fushatë të ashpër dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, si përgjigje ndaj ofensivës ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi të shtunën kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, një sulm i papritur shumë-dimensional, përfshirë lëshimin e një breshërie raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpata e Hekurt” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Izraeli ashpërsoi masat duke ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në zonën që tashmë ishte në një rrethim që nga viti 2007.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 1537 palestinezë, mes të cilëve 500 fëmijë dhe 276 gra, humbën jetën dhe 6612 të tjerë u plagosën në Gaza gjatë sulmeve izraelite.

MARKETING