Kryeministri irlandez kritikon Izraelin për ndërprerjen e ujit dhe energjisë elektrike në Gaza

Kryeministri irlandez kritikon Izraelin për ndërprerjen e ujit dhe energjisë elektrike në Gaza

Kryeministri irlandez, Leo Varadkar, ka kritikuar Izraelin për ndërprerjen e ujit dhe energjisë elektrike në Rripin e Gazës, duke e quajtur veprimin një shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare, transmeton Anadolu.

“Izraeli është nën kërcënim. Ata kanë të drejtë të mbrojnë veten, por nuk kanë të drejtë të shkelin të drejtën ndërkombëtare humanitare”, tha Varadkar në një intervistë me transmetuesin publik ‘TVE’ që u transmetua mbrëmë vonë.

Duke shprehur shqetësimin e tij për situatën në Gaza, ai tha: “Për mua kjo përbën një dënim kolektiv. Ndërprerja e energjisë, ndërprerja e furnizimit me karburant dhe ujë, nuk është mënyra se si duhet të sillet një shtet i respektuar demokratik”.

Ai gjithashtu i kërkoi grupit palestinez Hamas që të lirojë menjëherë të gjithë pengjet, duke theksuar se “sulmet e Izraelit janë të justifikuara ndaj Hamasit në Gaza dhe gjetkë”.

Ndërkohë, sipas transmetuesit, ish-presidentja irlandeze, Mary Robinson, e përshkroi përgjigjen e Izraelit ndaj sulmeve të Hamasit si ndëshkim kolektiv.

“Ajo po kryen bombardime masive dhe pa dallim në Gaza, kështu që civilët po vuajnë… 1.200 janë vrarë tashmë në ditët e fundit”, tha Robinson, duke shtuar, “Unë nuk e di sa të plagosur ka përveç kësaj. Ata janë nën rrethim, të bllokuar në ushqime dhe karburant, energjinë elektrike dhe ujë”.

Robinson tha gjithashtu se Irlanda ka qenë tashmë një “zë shumë i rëndësishëm në pranimin e vuajtjeve të pushtimit dhe problemeve të vazhdueshme të palestinezëve gjatë dekadave”.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën një fushatë të ashpër dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, si përgjigje ndaj ofensivës ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi të shtunën kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, një sulm i papritur shumë-dimensional, përfshirë lëshimin e një breshërie raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpata e Hekurt” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Izraeli ashpërsoi masat duke ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në zonën që tashmë ishte në një rrethim që nga viti 2007.

MARKETING