Dëshmitarët: Izraeli shënjestroi zonat ku u kërkua të mblidheshin civilët e Gazës

Dëshmitarët: Izraeli shënjestroi zonat ku u kërkua të mblidheshin civilët e Gazës

Ushtria izraelite ka vënë në shënjestër zonat që i shpalli të sigurta për grumbullimin e civilëve, thanë të enjten raportet e mediave dhe dëshmitarët, ndërsa vazhdon me bombardimet e saj në Gaza, raporton Anadolu.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee më 8 tetor bëri thirrje në platformën e mediave sociale X për banorët që të evakuohen për shkak të aktiviteteve të grupit palestinez Hamas në zonat e banuara, të cilat, sipas tij, po i vendosnin në një pozitë të vështirë.

Pas bombardimeve të ashpra në Gaza, disa civilë u zhvendosën në katër lokacione të shpallura nga ushtria izraelite, duke besuar se kjo do t’i mbronte ata nga sulmet.

Këto përfshinin qendrën e qytetit, strehimoret në Gazën qendrore, qendrën e qytetit Khan Younis dhe strehimoret në qendër të Rafahut. Por, ushtria izraelite vazhdoi t’i bombardonte këto vende.

Në sulmet e fundit ajrore, qendra e qytetit të Gazës dhe kampet e refugjatëve Jabalia dhe Al-Shati së bashku me lagjen Sheikh Radwan dhe Al-Rimal si dhe zonën Kerem Shalom u vunë në shënjestër gjithashtu.

Në përpjekje për të penguar rrjedhën e ndihmës ndërkombëtare në Gaza, ushtria izraelite goditi kalimin Rafah, i vetmi vendkalim i enklavës palestineze me botën e jashtme si dhe kampin e refugjatëve Nuseirat.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën fushatë të rreptë dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, si përgjigje ndaj ofensivës ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi të shtunën kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Al-Aksa-së” kundër Izraelit, një sulm i papritur shumë-dimesional, përfshirë lëshimin e një breshërie raketash dhe infiltrime në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpata e Hekurt” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Izraeli ashpërsoi masat duke ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në zonën që tashmë ishte në një rrethim të hekurt që nga viti 2007.

MARKETING