Kina bën thirrje për armëpushim “të menjëhershëm” midis Izraelit dhe Palestinës

Kina bën thirrje për armëpushim “të menjëhershëm” midis Izraelit dhe Palestinës

Duke shprehur “shqetësim të thellë” për përkeqësimin e situatës së sigurisë dhe humanitare në Palestinë, Kina ka bërë thirrje për armëpushim “të menjëhershëm” midis palëve ndërluftuese, transmeton Anadolu.

“Detyra më urgjente është ndërprerja e zjarrit menjëherë dhe mbrojtja e civilëve”, tha Zhai Jun, i dërguari i posaçëm i Kinës për Lindjen e Mesme.

Mbrëmë vonë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës njoftoi se Zhai po fliste me zv/ministren e Punëve të Jashtme të Palestinës, Amal Jadou, kur të dy diskutuan situatën e fundit Palestinë-Izrael.

“Kina është thellësisht e shqetësuar nga shumë viktima të pafajshme civile të shkaktuara nga përshkallëzimi aktual i konfliktit Palestinë-Izrael. Komuniteti ndërkombëtar duhet të luajë me zell rolin e tij për të promovuar së bashku de-përshkallëzimin e situatës dhe për t’i ofruar popullit palestinez ndihmë humanitare”, tha Zhai.

Duke bërë thirrje për t’i dhënë fund ciklit të konfliktit, Zhai tha se është “thelbësore të rifillojnë bisedimet për paqen mbi bazën e zgjidhjes me dy shtete, të krijohet një shtet i pavarur i Palestinës dhe të realizohet bashkëjetesa paqësore midis Palestinës dhe Izraeli”.

“Kina do të vazhdojë të promovojë një armëpushim dhe fundin e dhunës, të ndihmojë në lehtësimin e krizës humanitare, të avancojë në mënyrë aktive bisedimet për paqen dhe të luajë rol konstruktiv në promovimin e një zgjidhjeje të plotë, të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes së Palestinës”, tha ai.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, të paktën tre shtetas kinezë u vranë, dy janë të zhdukur dhe disa të tjerë u plagosën në konfliktin e armatosur në vazhdim midis Izraelit dhe Palestinës.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite kanë nisur fushatë të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës së bllokuar, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit, një sulm i papritur në shumë fronte, përfshirë lëshimin e një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izraeli përmes tokës, detit dhe ajrit, për të cilin Hamasi tha se ishte në hakmarrjeje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Në përgjigje të veprimeve të Hamasit, ushtria izraelite nisi operacion kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Përgjigjja e Izraelit është shtrirë edhe me ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim izraelit që nga viti 2007.

MARKETING