Kamberi: Arrestimi dhe lirimi i Radoiçiqit, manovër e autokratit Vuçiq
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se arrestimi dhe pastaj lirimi i Milan Radoiçiqit, ishte vetëm një manovër e Vuçiqit.
Kamberi në një postim në Facebook, ka shkruar se lirimi i Radoiçiqit sikurse edhe vepra për të cilën ai ngarkohet, është farsë e pushtetit serb.
“Serbia e Vuçiqit, që moti është shndërruar në “deep state”, vend ku strukturat e padukshme kriminale janë mbi institucionet, ku ndikimi i politikës në drejtësi është fatal, por, me aktin e sotëm, ajo po merr edhe epitetin e shtetit “sponsor të terrorizmit””, ka shkruar Kamberi.
Ai ka shtuar se faktet që po prezantohen nga autoritetet në Kosovë flasin për implikimin e thellë të Serbisë në aktin terrorist në Banjskë.
Postimi i plotë:
Kreu i grupit terrorist Radoiçiq, që dje u arrestua nga e ashtuquajtura drejtësi serbe, sot qenka liruar.
Edhe lirimi i sotëm ashtu si arrestimi i djeshëm ishte vetëm një manovër e autokratit Vuçiq për të blerë kohë dhe ndaluar presionet retorike të Perëndimit.
Lirimi i Radoiçiqit, sikurse dhe vepra për të cilën ai ngarkohet (krijimi i rrezikut të përgjithshëm për jetët e njerëzve dhe armëmbajtje pa leje) është farsë e pushtetit serb dhe dëshmi evidente për implikimin e tij në organizimin dhe kryerjen e aktit terrorist.
Serbia e Vuçiqit, që moti është shndërruar në “deep state”, vend ku strukturat e padukshme kriminale janë mbi institucionet, ku ndikimi i politikës në drejtësi është fatal, por, me aktin e sotëm, ajo po merr edhe epitetin e shtetit “sponsor të terrorizmit”.
Paradoksi i drejtësisë serbe më së miri shihet në dy ditët e fundit: Po e gjuajte me vezë muralin e kriminelit të dënuar për krime lufte dhe gjenocidin në Srebrenicë-je kriminel, ndërsa, po organizove grupe terroriste për të sulmuar shtetet fqinjë me qëllim të destabilizimit dhe rrezikimit të luftës rajonale, je hero kombëtar.
Retorika që po e ndjek brenda në Serbi, edhe pse të gjitha faktet që po prezantohen nga autoritetet në Kosovë flasin për implikimin e thellë të Serbisë në aktin terrorist në Banjskë, flet për një Vuçiq që nuk e ka plan me ndryshu qasjen ndaj Kosovës dhe fqinjëve në Ballkan.
Çfarë duhet të ndodhë që Perëndimi seriozisht të merret me autokratin dhe putinofilin serb? Mos ndoshta duhet të përsëritet Raçaku apo Srebrenica?
Mos ndoshta akoma stabilokracia është më e rëndësishme se demokracia?
Një qengj në CNN dhe një ujk te Mariqi në Qirilicë, Vuçiq po kalon çdo kufi të tolerancës, sepse edhe toleranca dhe flirtimi me te duhet të ketë kufijtë që nuk duhet lejuar të tejkalohen.
Është koha e fundit që ndaj tij të ndërmerren masat serioze, sepse autokrati serb njeh vetëm atë gjuhë. /Telegrafi/