Imazhet e Samsung Galaxy S24 zbulojnë dizajnin e sheshtë
Muajin e kaluar, informatori i besueshëm Ice universe pretendoi se Samsung do të përdorë një dizajn të sheshtë tek Galaxy S24 dhe S24+, dhe pretendimi i tij u vërtetua nga OnLeaks, i cili në bashkëpunim me Smartprix, ka shpërndarë imazhe të Galaxy S24 duke zbuluar dizajnin e pajisjes.
Ashtu sikur Galaxy S23, edhe Galaxy S24 gjithashtu e ka një pjesë të pasme të sheshtë, por është largimi i kornizave të lakuara gjë e cila për disa përdorues mund ta bëjë më pak të rehatshme për ta mbajtur telefonin në dorë.
Gjithashtu mund të vëreni se blici LED tani është vendosur në mes të kamerave 1 dhe 2, e jo afër kamerës 1 sikurse tek Galaxy S23, raporton GSM Arena, përcjell Telegrafi.
Vendosja e butonave është e njëjtë pasi që butoni i ndezjes dhe ai i volumit mbesin në anën e djathtë të kornizës, por atyre ju bashkëngjitet edhe një antenë UWB. Në pjesën e poshtme ndodhet porti USB-C, i cili rrethohet nga hapësira për SIM kartelën, mikrofoni dhe altoparlanti.
Burimi pretendon gjithashtu se Galaxy S24 do të ketë një ekran me madhësi prej 6.1 inç njëjtë sikurse Galaxy S23, por me përmasa të tjera: 147 x 70.5 x 7.6mm, teksa ekrani i S23 i kishte këto përmasa: 146.3 x 70.9 x 7.6mm.
Thuhet se telefoni i ri i mençur do të lansohet me 18 janar 2024 bashkë edhe me S24+ dhe S24 Ultra, diçka që ndodh më herët se zakonisht. Dhe nëse kjo është e vërtetë atëherë informatat shtesë për linjën Galaxy S24 do t’i marrim gjatë javëve në vijim. /Telegrafi/