BE i përgjigjet akuzave të Kurtit: Faji për mungesën e progresit në dialog nuk qëndron te Borrelli apo Lajçaku

BE i përgjigjet akuzave të Kurtit: Faji për mungesën e progresit në dialog nuk qëndron te Borrelli apo Lajçaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të hënën në një konferencë për media akuzoi të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak se u pozicionua kundër Kosovës në takimin që u zhvillua më 14 shtator.

Në atë takim, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u pajtuan për hapat që duhet t’i ndërmarrin për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve – e arritur në Bruksel në muajin shkurt.

E për akuzat që Kurti hodhi në drejtim të emisarit Lajçak, janë deklaruar edhe nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për Telegrafin i quajti të pabaza deklarimet e Kurtit.

“Ne nuk komentojmë komentet dhe pretendime të pabaza”, tha ai.

Stano shtoi se tutje se mungesa e përparimit në dialog nuk qëndron te diplomatët Borrell e Lajçak.

“BE-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtarë të angazhuar në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja e kanë bërë shumë të qartë në mënyrë të përsëritur se ku e shohin problemin kryesor për mungesën e progresit në dialog, dhe definitivisht nuk është Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borrell ose emisari Lajçak”, u shpreh Stano për Telegrafin.

Ai ka theksuar se shtetet anëtare të BE-së – 27 prej tyre – e kanë bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se mbështesin plotësisht Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak në përpjekjet e tyre për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të normalizojnë marrëdhëniet e tyre.

Më tej zëdhnësi i BE-së ka theksuar se “27 shtetet anëtare të BE-së kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre”.

Në takimin e 14 shtatorit i cili përfundoi pa ndonjë rezultat, zyrtarët evropianë thanë se ishte Kurti ai që e refuzoi propozimin e tyre për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.

Kryeministri Albin Kurti vazhdimisht ka përsëritur se nuk mund të lejojë themelimin e një asociacioni njëetnik, i cili do të kishte kompetenca ekzekutive, siç kërkon Beogradi.
Përkundër kësaj, BE-ja ka kërkuar që puna për themelimin e këtij asociacioni, të nisë “pa vonesa të reja”.

“Shtetet Anëtare gjithashtu theksuan vazhdimisht se puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”, tha Stano për Telegrafin.

Edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha të martën nga New York-u, se Kosova dhe Serbia duhet që pa vonesa të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve.

“Të dyja palët ranë dakord për këtë rrugë drejt normalizimit më herët këtë vit. Kjo është diçka e detyrueshme për ta dhe kërkohet nga palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në këtë zbatim. Dhe shpresoj që së shpejti të nxjerrim një deklaratë me konsideratat e ministrave për këtë dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha Borrell.

Ai shtoi se ajo çfarë kërkojnë ata si BE është “që të fillohet zbatimi në bazë të propozimit tonë pa vonesa të mëtejshme, dhe kjo përfshin detyrimin e të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e kaluara të dialogut”.

Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013.

 

MARKETING