Përfundon takimi pa marrëveshje, Kurti: Nuk jemi në vitin 2013

Përfundon takimi pa marrëveshje, Kurti: Nuk jemi në vitin 2013

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka thënë se në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se ka ofruar që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave.

Borrelli ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar së pari njohje de facto nga Serbia, ndërsa Vuçiqi ka kërkuar themelimin e Asociacionit. “Për fat të keq, Kurti nuk ishte i gatshëm që të të fillojë një proces kredibil për themelimin e Asociacionit. Ai insistoi të formalizohet njohja de facto si hap i parë”, ka thënë Borrelli.

Në anën tjetër, Kurti ka deklaruar se ka prezantuar një propozim për zbatimin e marrëveshjes bazë, por se Serbia ka kërkuar fillimisht Asociacionin e komunave. Sipas tij, propozimi i Serbisë është kthyer në qëndrim të emisarëve të Bashkimit Evropian.

“Nuk jemi në prillin e vitit 2013 kur në dhomë ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq. S’është marrëveshja e vitit 2013. Qartë Neni 10 i marrëveshjes bazike thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel të cilat janë të obligueshme dhe valide. Janë 39 sosh gjithsej. Nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje të përzgjidhet një e të vendoset sikur qerrja para kuajve”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se propozimi i Serbisë, i dorëzuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, është të paktën gjashtë muaj i vjetër.

“Kur unë kërkova që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse më tha që ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendej që ta sjellin dhe vetëm pas përfundimit të takimit mu dha një dyfaqësh në anglisht dhe cirilike që paraqet një dokument të vjetër së paku 6 muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar i palës serbe, por ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe eventualisht pastaj mund të kalojmë në marrëveshjen bazë”, është shprehur Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se kanë pranuar propozimin e kompromisit të BE-së, por sipas tij, Kurti nuk ka dashur ta pranojë. “Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të AKS-së. Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj”, vlerëson Vuçiq.

Takimi u zhvillua në kohën e tensioneve në veri të Kosovës, që nisën nga fundi i majit, kur grupe serbësh të dirigjuar nga Beogradi kanë nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në zyrat e komunave. /SHENJA/

MARKETING