Presidentja Osmani priti komandantin e ardhshëm të KFOR-it, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş

Presidentja Osmani priti komandantin e ardhshëm të KFOR-it, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş

Në prag të marrjes së detyrës nga komandanti i ri i KFOR-it, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim gjeneralmajorin turk Özkan Ulutaş, të shoqëruar nga komandanti italian në largim, gjeneralmajori Angelo Michelo Ristucci, transmeton Anadolu.

Presidentja Osmani në takimin e zhvilluar dje shprehu besim të plotë për bashkëpunimin e ngushtë me gjeneralmajor Ulutaş gjatë udhëheqjes së tij të KFOR-it në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.

Gjatë takimit, presidentja Osmani theksoi nevojën e rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës, me qëllim të menaxhimit efektiv të sfidave të mjedisit të sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Ajo e njoftoi komandantin e ardhshëm të KFOR-it me sfidat e sigurisë “të shkaktuara në veri të vendit nga strukturat ilegale të udhëhequra nga Serbia, të cilat udhëhoqën sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj, si dhe sulmet e njëpasnjëshme ndaj policisë dhe gazetarëve të Kosovës”.

Gjeneralmajor Ulutaş do të marrë komandën njëvjeçare të KFOR-it në tetor. Kjo do të jetë hera e parë që një zyrtar ushtarak turk komandon misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë që nga viti 1999.

MARKETING