Moska konfirmon: Lideri i Koresë së Veriut do të qëndrojë për vizitë në Rusi

Moska konfirmon: Lideri i Koresë së Veriut do të qëndrojë për vizitë në Rusi

Moska konfirmoi se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, do të qëndrojë për vizitë në Rusi, transmeton Anadolu.

“Me ftesë të Presidentit të Federatës Ruse Vladimir Putin, Kryetari i Çështjeve Shtetërore të Republikës Popullore Demokratike të Koresë, Kim Jong-un, do të bëjë një vizitë zyrtare në Federatën Ruse në ditët në vijim”, thuhet në një deklaratë të Kremlinit.

Lajmi vjen disa ditë pasi Shtëpia e Bardhë pretendoi se bisedimet sekrete midis Rusisë dhe Koresë së Veriut për të furnizuar Kremlinin me municione për luftën në Ukrainë janë “duke avancuar në mënyrë aktive”. Javën e kaluar, “The New York Times” raportoi se Kim do të udhëtonte me tren në qytetin rus të Lindjes së Largët Vladivostok për të diskutuar një marrëveshje të mundshme armësh.

Më herët sot, një zyrtar i paidentifikuar i Koresë së Jugut tha për agjencinë e lajmeve “Yonhap” me bazë në Seul se një tren special i Koresë së Veriut që “besohet se po transportonte” liderin e Koresë së Veriut është nisur për në Rusi.

Masa të forta sigurie janë vendosur rreth stacionit të trenit në Vladivostok sot pasi zyrtarët e Koresë së Jugut pretenduan se Kim “besohet” se po udhëton për në Rusi.

Kim besohet se do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Lindor 2023, i cili aktualisht po zhvillohet në Vladivostok dhe do të zgjasë deri të mërkurën.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut vizitoi Rusinë për herë të fundit në vitin 2019.

“Një numër i madh i personelit policor u vu re brenda stacionit të Vladivostokut, ndryshe nga një ditë më parë”, tha Yonhap, duke shtuar:

“Ushtarë me qen ushtarakë, burra me kostume të zeza, si dhe një makinë e zezë e rrethuar nga zyrtarë të policisë duke hyrë në platformë u panë gjithashtu në stacion, megjithëse ishte e paqartë nëse automjeti kishte lidhje me vizitën e mundshme të Kimit”.

MARKETING