Konfuzioni që shkaktoi Stoltenbergu për forcat e sigurisë në veri të Kosovës
Askush nga institucionet e Kosovës nuk ka sqaruar ende nëse NATO-ja dhe misioni i saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, kanë eventualisht ndonjë kërkesë të re në lidhje me dërgimin e policisë speciale të Kosovës në veri – zonë e banuar me shumicë serbe.
Dilema nëse kjo polici duhet të marrë miratimin e KFOR-it për dislokim atje, është ngritur një ditë më parë, pas një deklarate të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Duke iu referuar një dokumenti të vitit 2013, në të cilin Qeveria e Kosovës zotohet ndaj NATO-s se nuk do ta dislokojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në veri pa konsultime me KFOR-in, Stoltenberg ka thënë:
“Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave të sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, që mund të ketë ndikim në siguri. Çdo zbarkim i forcave speciale kërkon miratimin e KFOR-it dhe ka nevojë për konsultim të afërt mes autoriteteve të Prishtinës dhe KFOR-it”.
I pyetur nga gazetarët nëse kjo nënkupton kushte të reja për Kosovën, Stoltenberg e ka mohuar.
Ai i ka bërë komentet në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Bruksel.
Për më shumë sqarime, REL-i ka kontaktuar NATO-n dhe një zyrtar i saj, në përgjigjen e dërguar me shkrim, ka thënë se sekretari i përgjithshëm e ka bërë të qartë se “nuk ka asnjë kërkesë të re”.
“Ka nevojë për koordinim dhe konsultime të ngushta ndërmjet autoriteteve në Prishtinë dhe KFOR-it për çdo dislokim që mund të ndikojë në qëndrimin tonë dhe në sigurinë në Kosovë”, ka thënë ai.
Stoltenberg, po ashtu, e ka bërë të qartë se “ne presim konsultime me kohë dhe kuptimplota për çdo veprim të Forcës së Sigurisë së Kosovës apo Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s.
Me kërkesën për sqarime shtesë, REL-i i është drejtuar edhe Zyrës së Presidentes së Kosovës, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, por prej asnjërit institucion nuk ka marrë përgjigje.
Zyra e Presidentes e ka sugjeruar REL-in që t’i referohet deklaratës së Osmanit gjatë konferencës për media me Stoltenbergun, si dhe intervistës së shefit të stafit të presidentes, Blerim Vela, për Televizionin Klan Kosova.
Osmani në Bruksel ka thënë se dokumenti i vitit 2013 “fokusohet vetëm në Forcën e Sigurisë së Kosovës”.
Ngjashëm, Vela ka konfirmuar se “Osmani ia ka sqaruar Stoltenbergut se dokumenti i vitit 2013 ka në fokus vetëm Forcën e Sigurisë së Kosovës”.
“Unë nuk mund ta gjykoj se a ka qenë ngatërrim apo me qëllim [deklarata e Stoltenbergut] për këtë çështje. Por, ka qenë një dakordim se ky [dokumenti] zbatohet vetëm në raport me FSK-në”, ka thënë Vela.
Beogradi zyrtar, i cili vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, e ka komentuar deklaratën e Stoltenbergut. Presidenti Aleksandar Vuçiq ka thënë se shpreson që ajo “të ketë ndikim, nëse jo te [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, atëherë të paktën te disa të tjerë, te EULEX-i [misioni i BE-së në Kosovë] dhe te sjellja e KFOR-it”.
KFOR-i është vendosur në Kosovë pas luftës, më 1999, dhe është përgjegjës për sigurinë në vend. /rel/