Së paku 17 të vrarë, përfshirë fëmijë, nga një sulm rus në lindje të Ukrainës

Së paku 17 të vrarë, përfshirë fëmijë, nga një sulm rus në lindje të Ukrainës

Së paku 17 njerëz, në mesin e tyre edhe fëmijë, janë vrarë të mërkurën nga një sulm rus me raketa në lindje të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin e 6 shtatorit, duke thënë se viktimat ishin njerëz “të cilët nuk kanë bërë asgjë keq”.

Zelensky tha në Telegram se një treg, dyqane dhe një farmaci u goditën në qytetin lindor, Kostiantinivka, pranë fushëbetejës.

Sulmi ndodhi në ditën e vizitës së sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, në Kiev.

“Kjo Rusi e ligë duhet të mposhtet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Zelensky.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se 17 njerëz u vranë dhe 32 të tjerë u plagosën, duke shtuar se operacionet e kërkimit kanë përfunduar.

Ky sulm u dënua nga Bashkimi Evropian, i cili e cilësoi atë si “sulm barbar që i terrorizoi popullatën civile në Ukrainë”.

“BE-ja i dënon fuqishëm këto sulme kundër civilëve dhe infrastrukturës civile dhe i bën thirrje Rusisë ta ndalojë menjëherë agresionin çnjerëzor dhe të jashtëligjshëm”, tha një zëdhënës i Bashkimit Evropian.

Njëzet dyqane, linja të rrymës, një ndërtesë administrative dhe një kat i një ndërtese banimi u dëmtuan, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm.

Ekipet e shpëtimit janë duke punuar për ta shuar zjarrin i cili i dëmtoi së paku 30 tenda të tregut të hapur, si dhe janë duke shikuar nën rrënoja për ndonjë civilë të ngecur.

Blinkeni po e viziton Kievin me synim për ta ndihmuar kundërofensivën tremujore të Ukrainës.

MARKETING