Kancelari Scholz propozon “paktin e Gjermanisë” për të ringjallur ekonominë

Kancelari Scholz propozon “paktin e Gjermanisë” për të ringjallur ekonominë

Kancelari gjerman Olaf Scholz doli me një propozim të ri “pakt i Gjermanisë” për të ringjallur ekonominë e dobësuar të vendit dhe për të rritur investimet në teknologjitë e reja, raporton Anadolu.

“Qytetarët janë të lodhur nga kjo ngecje, gjithashtu edhe unë”, u tha Scholz deputetëve sot, gjatë një debati rreth planit buxhetor të qeverisë.

“Do të doja të propozoja sot ‘paktin e Gjermanisë’ për ta bërë vendin tonë më të shpejtë, më modern dhe më të sigurt. Ajo që na nevojitet është shpejtësia, veprimi dhe bashkëpunimi; jo të qëndrojmë ulur, të presim, apo të grindemi. Ky është rendi i ditës”, tha ai.

Socialdemokrati Scholz u bëri thirrje partive demokratike të opozitës dhe autoriteteve rajonale dhe lokale që të bashkojnë forcat me qeverinë federale në miratimin e reformave të nevojshme ligjore dhe zbatimin e tyre.

Ai nënvizoi se Gjermania ka nevojë për reforma të gjera që të reduktojë pengesat burokratike, të lehtësojë investimet në teknologjitë e reja dhe ta bëjë vendin më tërheqës për kompanitë e huaja të teknologjisë dhe emigrantët me aftësi të larta.

“Tani duhet të arrijmë shpejtësinë që korrespondon me sfidat me të cilat përballet vendi ynë. Vetëm atëherë mund ta menaxhojmë këtë transformim të madh, i cili është po aq i madh sa industrializimi i Gjermanisë në fund të shekullit të 19-të”, tha ai.

Scholz tha se qeveria do të ofrojë stimuj të rinj për investime strategjike teknologjike dhe projekte energjetike miqësore me klimën.

MARKETING