Ambasada e Türkiyes në Tiranë organizon pritje me rastin e Ditës së Fitores

Ambasada e Türkiyes në Tiranë ka organizuar një pritje zyrtare me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores dhe Ditës së Forcave të Armatosura Turke, raporton Anadolu.
Në pritjen e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë ishin të pranishëm Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, përfaqësues të tjerë të institucioneve të turke në Shqipëri, përfaqësues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, diplomatë të vendeve të ndryshme dhe personalitete nga fusha të ndryshme.
Pas intonimit të himneve kombëtare të të dy vendeve nga Orkestra Frymore e Forcave te Armatosura të Shqipërisë, u shfaq edhe një video për Forcat e Armatosura Turke.
Ndërkohë, gjatë ceremonisë u lexua edhe mesazhi i presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori Atay, tha se 30 Gushti shënon një pikë kthese në historinë turke dhe botërore, e cila e bëri të qartë se Anadolli është atdheu i përjetshëm i një kombi turk.
Ai theksoi se suksesi i lëvizjes turke për pavarësi frymëzoi edhe shumë kombe të tjera në mbarë botën.
“Dita e Fitores njihet edhe si Dita e Forcave të Armatosura. Si anëtar të NATO-s që nga viti 1952, me forca të armatosura të afta dhe moderne, ne kemi qenë një kontribuues për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë. Pas agresionit rus kundër Ukrainës, roli qendror i NATO-s, siç e dimë të gjithë, në arkitekturën e sigurisë, u rikonfirmua. Dhe Türkiye është një aleat që e bën NATO-n më të fortë jo vetëm me forcat e saj të armatosura, por edhe me industrinë e mbrojtjes”, u shpreh Atay.
Ambasadori Atay tha se po ndajnë produkte moderne të industrisë turke të mbrojtjes me aleatët dhe sipas tij, kjo i bën aleatët e Türkiyes dhe NATO-n më të fortë.
Atay tha se këtë vit festojnë njëqindvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Türkiyes.
Dita e Fitores shënohet për të përkujtuar betejën e fundit në Luftën e Pavarësisë, pas së cilës u shpall Republika moderne e Türkiyes.