Çështja e detit me Greqinë, Rama: Marrëveshja duhet t’i kalojë hapat

Çështja e detit me Greqinë, Rama: Marrëveshja duhet t’i kalojë hapat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot lidhur me çështjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë se kanë arritur në një marrëveshje në parim dhe se marrëveshja duhet të kalojë hapat.

Rama ka thënë se janë pajtuar në parim që çështja të shkojë në gjykatën ndërkombëtare dhe tani duhet kryer procedura.

Sipas tij, presidenti duhet të japë një autorizim të ri për grupin negociator që të fillojë punën dhe pastaj duhet të përgatitet diçka e quajtur marrëveshje e përbashkët.

Në një intervistë për gazetën prestigjioze greke “Kathimerini” i pyetur nga gazetari Pavlos Papadopoulos, nëse është i gatshëm ta nënshkruajë një marrëveshje arbitrazhi dhe t’ia referojë çështjen Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, Rama theksoi se “ky është sërish një shembull i mirë për t’iu shpjeguar sesi e shoh unë politikën”.

“Kur u nënshkrua kjo marrëveshje midis paraardhësit tim dhe më duket, Karamanlisit dhe Dora e firmosi me kundërshtarin tim të dashur, unë nuk e kisha idenë, askush nuk e kishte idenë çfarë ishte. Doli si lajm dhe të gjithë ishin në rregull, me idenë që është një marrëveshje midis Greqisë dhe Shqipërisë, pra s’ka asgjë të keqe. Më pas, disa njerëz nga shoqëria civile, konkretisht, një ish-ushtarak i lartë nisi të shkruante gjëra që ishin shumë shqetësuese. Kur ka arsye për t’u ngritur kundër shqiptarëve në Greqi, ka shumë njerëz atje që e bëjnë. E njëjta gjë ndodh në Shqipëri kundër grekëve, gjen shumë njerëz që e bëjnë. Klima u helmatis e u ndez shumë. Njerëzit e partisë sime thoshin se ky ishte një rast i mirë për t’u vërsulur. U thashë “jo, sepse kjo do të ishte shumë e lehtë. Nëse fillojmë të hapim një betejë politike për këtë, çfarë do të themi, ku do dalim?” Në të njëjtën kohë, argumentet ishin tejet shqetësuese, ndaj iu thashë: “Dëgjoni, e vetmja gjë që mund të bëjmë është ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Rama. “Meqë ra fjala, në atë kohë, Gjykata Kushtetuese kishte gjithnjë vendime mjaft të balancuara ose, kryesisht, me shumicë, nga ana tjetër, ndaj iu thashë: “Është një gjykatë e balancuar. Janë njerëz të arsyeshëm, kështu që janë ata të cilët duhet t’i hyjnë me themel, pasi marrëveshjet detare nuk janë të lehta dhe nuk ka shumë njerëz që e njohin legjislacionin e detit, sepse është një qoshe e veçantë në universin e ligjit”. E çuam në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese mori një vendim 9 me zero, 9 me zero kundër qeverisë, diçka shumë e rrallë. Kjo mbeti çështje e hapur dhe kur u bëra kryeministër, nisa të flas për të, e më kujtohet kur bëra diskutimin e parë, kur (kryeministri) Samaras më kërkoi se ç’mendoja. Më pas, kur i bëmë këto diskutime me Aleksisin (Tsipras), i thashë: “Përse të mos shkojmë në Gjykatën Ndërkombëtare?” Kjo është diçka për të cilën vendet tona… Këtu jemi të ngjashëm. Ju mund të jeni në Bashkimin Europian dhe ne jemi kandidatë, ju jeni përpara nesh, sepse historia është treguar më bujare me ju sesa me ne, e keni pasur BE-në përpara nesh prej një kohe të gjatë, por në këtë pikë vazhdojmë të jemi të ngjashëm”.

Rama tha se është shumë i kënaqur që kanë arritur në këtë marrëveshje për çështjen të vendos Gjykata Ndërkombëtare.

MARKETING