Unioni Afrikan pezullon anëtarësimin e Nigerit

Unioni Afrikan pezullon anëtarësimin e Nigerit

Unioni Afrikan njoftoi se pas ndërhyrjes ushtarake në Niger ka pezulluar anëtarësimin e këtij vendi, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Këshilli i Paqes dhe Sigurisë së Unionit Afrikan, thuhet se pas ndërhyrjes ushtarake më 26 korrik në Niger është pezulluar pjesëmarrja e vendit në të gjitha aktivitetet e Unionit Afrikan.

Po ashtu bëhet thirrje për lirimin e presidentit Mohamed Bazoum dhe kthimin e ushtrisë në kazermë.

Në anën tjetër, duke i bërë thirrje të gjitha shteteve anëtare dhe komunitetit ndërkombëtar, theksohet se duhet të shmanget çdo veprim që do të legjitimojë administratën ushtarake në Niger si dhe kundërshtohet fuqishëm ndërhyrja e çdo aktori ose vendi jashtë Afrikës.

Grushti i shtetit në Niger

Në Niger, presidenti Mohamed Bazoum u arrestua nga elementë të Regjimentit të Gardës Presidenciale më 26 korrik dhe atë mbrëmje ushtria njoftoi marrjen e pushtetit.

Gjenerali Abdourahamane (Omar) Tchiani, komandanti i Regjimentit të Gardës Presidenciale, më 28 korrik kaloi në krye të qeverisë së përkohshme të emërtuar Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut (CNSP).

CNSP më 7 gusht emëroi si kryeministër Lamine Zeine dhe më 10 gusht shpalli kabinetin me 21 anëtarë të përbërë nga ushtarakë dhe civilë.

MARKETING