Reagime nga Mali i Zi ndaj ministrit serb të Mbrojtjes: Vuçeviq po i bie daulleve të luftës dhe po e destabilizon rajonin

Reagime nga Mali i Zi ndaj ministrit serb të Mbrojtjes: Vuçeviq po i bie daulleve të luftës dhe po e destabilizon rajonin

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, tha se është e papranueshme çdo përpjekje për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose indirekt me aktorët e huaj (nga rajoni apo pjesa tjetër e botës) në krijimin e Qeverisë në Mal të Zi.

Në rrjetin social X, ish-Twitter, Milatoviq theksoi se mbledhja e 28-të e Kuvendit është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët sipas Kushtetutës janë bartës të sovranitetit.

“Pres që formimi i Qeverisë së 44-të të bazohet në vullnetin e shprehur lirshëm të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara parlamentare, si dhe në prioritetet programore që do të mundësojnë anëtarësimin e përshpejtuar të Malit të Zi në BE, rritjen e standardit jetësor dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës”, shkroi Milatoviq.

Me kërcënimet se “Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të goditen në kokë nga njohja e Kosovës, siç ndodhi me Ukrainën”, ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviq, po i bie daulleve të luftës dhe po e destabilizon rajonin, tha deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve nga Mali i Zi, Andrija Nikoliq.

“Vuçeviqi qëllimisht e anashkalon faktin që Serbia nënshkroi marrëveshjen në Kumanovë, e cila përfaqëson kapitullimin e regjimit të Millosheviqit gjatë kohës së luftës dhe se Millosheviqi pranoi që të gjitha, ushtria, paraushtarakët, policia, parapolicia dhe të gjitha formacionet e tjera të armatosura nga Serbia të largohen përgjithmonë nga Kosova”, tha zyrtari i DPS-së.

Së fundi, thotë ai, Vuçeviq mendon se publiku në Mal të Zi ka një “kujtesë të shkurtër”.

“Dhe të mos harrojë se me rezolutën 1244, Serbia pranoi të largohej nga Kosova, me të cilën hoqi integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës Federale të Jugosllavisë mbi Kosovën dhe vendosi procedurën për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Mali i Zi, si shtetet tjera, thjesht zyrtarisht e pranoi se cila ishte gjendja faktike në terren dhe se me një interes, Serbia dhe Kosova të ecin përpara”, theksoi Nikoliq.

MARKETING