Kosovë, Misioni EULEX reagon pas dorëheqjes së tre policëve serbë nga detyra

Kosovë, Misioni EULEX reagon pas dorëheqjes së tre policëve serbë nga detyra

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se e ka parë me shqetësim dorëheqjen e tre policëve të rinj serbë të Kosovës të cilët sapo ishin rekrutuar, transmeton Anadolu.

Barbano nëpërmjet rrjeteve sociale tha se EULEX-i po i përcjell nga afër “këto zhvillime shqetësuese”.

“Përbërja e Policisë duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë që i shërben dhe e mbron”, ka shkruar Barbano.

Ai tha se EULEX-i është i përkushtuar ta përkrahë Policinë e Kosovës.

“Anëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre përmes punës së tyre të orientuar nga komuniteti. Misioni është i përkushtuar të mbështesë përpjekjet e Policisë së Kosovës që synojnë zhvillimin e policisë efektive, efikase, përfaqësuese dhe të përgjegjshme në fushëveprim më të gjerë të sundimit të ligjit”, ka shkruar Barbano.

Barbano ka njoftuar gjithashtu se ka pasur takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ku është diskutuar se “si të avancojmë prioritetet tona të përbashkëta në fushën e institucioneve të sundimit të ligjit dhe në promovimin e praktikave më të mira”.

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, u shpreh i shqetësuar për dorëheqjet e tre zyrtarëve policorë serbë në veri.

Hovenier, duke shpërndarë reagimin e Barbanos në rrjetet sociale, tha se Policia e Kosovës ekziston për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë pa u frikësuar.

Gjithsej 46 pjesëtarë të komunitetit serb që iu bashkuan Policisë së Kosovës, pas konkursit për plotësimin e pozitave vakante në drejtorinë për rajonin e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, nisën punën nga 25 korriku.

Këta zyrtarë policorë ishin në kuadër të kadetëve të diplomuar po ashtu gjatë muajit korrik në një ceremoni ku morën pjesë edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti, në Prishtinë.

Zyrtarët policorë të komunitetit serb janë larguar nga Policia e Kosovës gjatë muajit nëntor të vitit 2022, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për legalizimin e targave që qarkullojnë ende në pjesën veriore të vendit dhe suspendimit të drejtorit të Policisë në veri, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi zbatimin e këtij vendimi.

MARKETING