Emigrantët nuk e ndalin emigrimin drejt Evropës pavarësisht dhunës ndaj tyre në kufijtë e Ballkanit

Emigrantët nuk e ndalin emigrimin drejt Evropës pavarësisht dhunës ndaj tyre në kufijtë e Ballkanit

Dhuna ndaj emigrantëve të parregullt nga oficerët e rendit në kufijtë e Kroacisë, Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës është bërë e përditshme, ndërsa nuk mund të parandalojë emigrimin pavarësisht ndërhyrjeve me dhunë elektrike edhe ndaj fëmijëve të emigrantëve të parregullt.

Karolina Augustova, autore e librit “Dhuna e përditshme në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian (BE): Lojërat dhe Kundërvajtje” dhe profesoreshë në Universitetin Northumbria në Britaninë e Madhe, ka vlerësuar për Anadolu dhunën ndaj emigrantëve të parregullt në kufijtë e Ballkanit.

Ajo ka theksuar se situata më e habitshme që ajo hasi gjatë punës së saj vullnetare në kufijtë e Ballkanit ishin rastet e torturave ndaj fëmijëve.

“Kam takuar dy fëmijë 17-vjeçarë irakianë, të cilëve iu dogj qafa me pajisje elektrike nga policia kroate. Unë takova edhe një vajzë 3-vjeçare iraniane me shpinë të mavijosur plotësisht si pasojë e shtyrjes”, tha ajo.

Duke u shprehur se ka qenë drejtpërdrejt dëshmitare e dhunës dhe torturave ndaj fëmijëve emigrantë në kufijtë ku ka qëndruar për muaj të tërë, Augustova nënvizoi se është jashtëzakonisht e turpshme të hasësh tortura ndaj fëmijëve në vendet që pretendojnë se janë liberal-demokratike.

– “Dhuna është një realitet që emigrantët e përjetojnë derisa kalojnë kufirin ose deri sa vdesin”

Augustova raportoi se ajo ka rastisur në një gamë të gjerë lëndimesh në kufirin midis Kroacisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës, nga gjakderdhja e gjymtyrëve për shkak të frakturave të hapura, djegiet nga mjetet elektrike të policisë dhe mavijosjet nga shkopinjtë e policisë.

“Gjatë 8 muajve që kalova në kufi, kuptova se njerëzit nuk përjetojnë dhunë vetëm në momentin e një sulmi të policisë. Ju vëzhgoheni nga helikopterët dhe dronët në një kamp ku mund të shihni plagë të reja çdo ditë. Dhuna është realitet që ata e përjetojnë çdo ditë derisa e kalojnë kufirin ose deri sa shumë prej tyre vdesin”, tha ajo.

Duke deklaruar se shumica e atyre që qëndrojnë në kampet e refugjatëve janë burra sepse rruga ballkanike është shumë e rrezikshme, Augustova tha se e quajti përpjekjen e emigrantëve të parregullt për të kaluar kufirin si “një lojë”, duke zhvilluar vazhdimisht strategji se si t’i shpëtojnë dhunës policore dhe duke shpresuar që të bashkohen ligjërisht me familjet e tyre pas kalimit të kufirit.

Augustovs tha se në librin e saj trajton edhe çështjen e dhunës strukturore. “Me dhunë strukturore, dua të them që shtetet i privojnë njerëzit e bllokuar në kampet e refugjatëve nga nevojat themelore si strehimi, ushqimi, higjiena dhe kujdesi mjekësor. Imagjinoni të mbërrini në kufi të plagosur. Ju duhet të përdorni fasha të vjetra për të mbuluar plagët tuaja. Si rezultat i kësaj ju rrezikoni sëmundje të tilla si hepatiti, madje edhe vdekjen. Kjo ka ndodhur edhe më parë në kufi. Edhe kjo është një formë dhune, megjithëse rrjedh nga procesi strukturor i vendimmarrjes dhe është e vështirë të gjesh një autor konkret”.

– “Shpresa për një jetë më të mirë, miqësi dhe siguri është më e fortë se kthimet”

Augustova ka deklaruar se pavarësisht vendosjes së “vizës vullnetare” për ata që duan të ndihmojnë emigrantët e parregullt në kufijtë në Evropë, kjo vizë nuk i jepet pothuajse askujt. Ajo deklaroi se ka raste të ngacmimeve të policisë ndaj vullnetarëve dhe se autoritetet shtetërore kroate i referoheshin hapur vullnetarëve si “kriminelë ose kontrabandistë”.

Augustova tha se Komisioni Evropian dhe vendet anëtare shpenzojnë shumë para për të ndaluar emigracionin dhe se paratë e shpenzuara për teknologjitë e vëzhgimit, trajnimin e sigurisë kufitare, riatdhesimin “vullnetar” të emigrantëve të parregullt dhe mjete të tjera synojnë mbylljen e territorit të BE-së.

Ajo tha se financimi i ndarë për parandalimin e emigrimit të parregullt nuk synon eliminimin e shkaqeve të emigrimit, dhe se investimet e bëra për parandalimin e kalimeve kufitare inkurajojnë praktikat e shtytjes jozyrtare dhe ilegale të policisë kufitare.

Augustova tha se dhuna dhe mjetet e tjera të përdorura për të mbrojtur kufijtë nuk i parandalojnë emigrantët e parregullt.

“Njerëzit që emigrojnë kanë qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Shpresa për një jetë më të mirë, miqësi dhe siguri është më e fortë se kundërshtitë. Shumë nga njerëzit që takova në kampet e refugjatëve tani janë të sigurt në Evropë. Shpesh, dhuna më e dëmshme është dhuna që po fshihet, në rutinat e përditshme në kufij dhe shpesh zbulohet dhuna që është e vështirë për t’u trajtuar. Qeveritë duhet të ndalojnë së shpenzuari miliarda euro për rojet e dhunshme kufitare për të ndaluar dhunën dhe vdekjet në kufij. Këto janë politika dritëshkurtër që kriminalizojnë emigracionin dhe shpresojnë t’i pengojnë ata me frikësim. Nga një këndvështrim afatgjatë, kjo nuk e ndal emigrimin”, përfundoi Augustova.

MARKETING