Sllovenia përjetoi përmbytjet më të rënda, dëmet mund të kalojnë 500 milionë euro

Sllovenia përjetoi përmbytjet më të rënda, dëmet mund të kalojnë 500 milionë euro

Sllovenia u përball me fatkeqësinë më të rëndë natyrore në historinë e saj, tha të shtunën kryeministri slloven, Robert Golob, pasi përmbytjet shkatërruese shkaktuan dëme të cilat vlerësohen në gjysmë miliardi euro, raporton Anadolu.

“Në përmbytjet shkatërruese të enjten dhe të premten humbën jetën tre persona ndërsa u shkatërruan rrugë, ura dhe shtëpi. Dy të tretat e territorit u prekën”, tha Golob. Përmbytjet ishin “fatkeqësia më e madhe natyrore” në historinë e Sllovenisë, tha Golob pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të shtunën.

Pasi tre vdekje të lidhura me motin u raportuan të premten, mediat sllovene raportuan të shtunën se një person tjetër ishte gjetur i vdekur në kryeqytetin, Lubjanë. Policia ende nuk e ka konfirmuar vdekjen.

Përmbytjet u shkaktuan nga shirat e dendur të premten që shkaktuan fryrjen e lumenjve dhe përmbytjen e shtëpive, fushave dhe qyteteve. Shërbimi Meteorologjik i Sllovenisë njoftoi se në më pak se një ditë ka rënë shi aq sa bie normalisht në një muaj.

Ekspertët thonë se kushtet ekstreme të motit janë shkaktuar pjesërisht nga ndryshimet klimatike. Disa pjesë të Evropës regjistruan nxehtësi rekord dhe luftuan me zjarret gjatë verës.

Golob tha se infrastruktura rrugore dhe energjetike si dhe qindra shtëpi dhe ndërtesa të tjera, u goditën veçanërisht rëndë. Mijëra njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe shumë prej tyre duhej të shpëtoheshin me helikopterë ose zjarrfikës në varka.

Fotot nga terreni tregojnë fshatra të tëra nën ujë, kampe të shkatërruara në natyrë dhe automjete të bllokuara në baltë.

Agjencia e lajmeve STA raportoi se rrugët kryesore në pjesë të Sllovenisë mbetën pjesërisht të mbyllura të shtunën për shkak të përmbytjeve, përfshirë autostradën kryesore përmes vendit.

Përmbytje u regjistruan edhe në Austrinë fqinje, ku rreth 80 persona u detyruan të largoheshin përkohësisht nga shtëpitë e tyre në provincën jugore të vendit.

MARKETING