Brazil, 44 të vrarë në operacionin policorë kundër bandave të drogës

Brazil, 44 të vrarë në operacionin policorë kundër bandave të drogës

Të paktën nëntë persona u vranë të mërkurën në operacionet policore në Rio de Janeiro në një seri bastisjesh kundër bandave të drogës në Brazil që lanë të paktën 44 të vdekur që nga e premtja, njoftuan autoritetet, raporton Anadolu.

Operacioni i forcave të sigurisë u zhvillua në Complexo da Penha, në lagjet e varfra në veri të Rios.

Të dielën u raportua për 16 të vrarë në shtetin Sao Paulo dhe 19 persona të tjerë në shtetin verilindor Bahia midis të premtes dhe të hënës.

Aksioni në Rio kishte për qëllim “gjetjen dhe arrestimin e anëtarëve të grupeve kriminale” në rajon, krerët e të cilëve ishin planifikuar të takoheshin, tha policia ushtarake.

“Përleshja ndodhi kur ekipet e policisë u sulmuan nga persona të armatosur në vendngjarje”, tha zëdhënësi i Policisë Ushtarake, kolonel Marco Andrade.

Njëmbëdhjetë të dyshuar u plagosën dhe u dërguan në spital. Nëntë vdiqën, duke përfshirë dy drejtues të dyshuar të bandës së drogës. Sipas Andrades, u sekuestruan shtatë pushkë, municione dhe granata.

Shkak për bastisjet e policisë ishte vrasja me armë zjarri e oficerit të policisë ushtarake Patrick Bastos Reis një javë më parë gjatë një patrulle në komunën Guaruja, rreth 60 kilometra nga kryeqyteti, Sao Paulo.

Si kundërpërgjigje, policia nisi ‘Operacionin Escudo’ kundër krimit të organizuar, duke rezultuar në 58 arrestime dhe disa të vdekur, të cilat kanë nxitur reagimin e grupeve të ndryshme të të drejtave të njeriut.

“Na vjen keq që operacioni pas vdekjes së një oficeri policie (ushtarak) në Guaruja, Sao Paulo ka rezultuar në vdekjen e 12 personave dhe akuza për torturë”, tha Juanita Goebertus, drejtore e departamentit amerikan të Human Rights Watch, më 1 gusht.

“Zyra e Prokurorit Publik duhet të kryejë një hetim të pavarur për të ndaluar dhunën policore dhe për të garantuar sigurinë”, shtoi ajo.

Ministri i Drejtësisë i vendit, Flavio Dino, tha se reagimi i forcave të sigurisë nuk i dukej atij “proporcional në lidhje me krimet e kryera”.

MARKETING