Rusia dënon sulmet ndaj Kuranit në Danimarkë

Rusia dënon sulmet ndaj Kuranit në Danimarkë

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha se dënojnë ashpër djegien e Kuranit të Shenjtë dhe veprimet e ngjashme në Danimarkë, transmeton Anadolu.

Zakharova në konferencën për media tha se akte të tilla nuk janë të rralla në Danimarkë. “Tani po i shohim se si ka ekstremistë fetarë në kryeqytetet evropiane që mendojnë se do të mbeten të pandëshkuar. Po bëhen krime me një inat të çmendur duke u tallur me Kuranin e Shenjtë dhe Islamin”, tha Zakharova.

Ajo theksoi se tallja me ndjenjat e besimtarëve nuk është shenjë e lirisë së shprehjes dhe nuk ka të bëjë me demokracinë. “E gjithë kjo është vetëm e mbuluar nga autoritetet daneze me terma dhe fraza të ngjashme, por në fakt, ato janë një manifestim i barbarizmit agresiv dhe ksenofobisë”, shtoi Zakharova.

Duke theksuar se Rusia do të kundërshtojë gjithmonë “poshtërimin e ndjenjave të besimtarëve, shkeljeve të tilla të turpshme të të drejtave”, siç vërehet aktualisht në Danimarkë, Zakharova paralajmëroi se nëse autoritetet nuk i ndalin këto akte antisociale, radikalizmi do të rritet dhe kjo do të dëmtojë qytetarët e thjeshtë dhe punonjësit e misioneve diplomatike.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë (djegien e Kuranit në Danimarkë) dhe veprime të ngjashme ekstremiste. Shfaqja e intolerancës ndaj cilës do fe nuk është e përshtatshme”, tha Zakharova.

Sulmet ndaj Kuranit të Shenjtë

Salwan Momika, me origjinë nga Iraku, dogji Kuranin nën mbrojtjen e policisë përpara xhamisë së Stokholmit në ditën e parë të Kurban Bajramit më 28 qershor në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm. Ai kishte qenë dëshmitar i sulmeve kundër Kuranit më parë.

Më 20 korrik, Momika shkeli Kuranin dhe flamurin irakian nën mbrojtjen e policisë përpara ambasadës së Irakut në Stokholm. Në Danimarkë, anëtarët e grupit anti-islam dhe ultra-nacionalist “Danske Patrioter (Patriotët Danezë)” dogjën Kuranin përpara Ambasadës së Irakut në Kopenhagë më 21 korrik.

Më vonë, anëtarët e grupit dogjën Kuranin më 24 korrik përpara ambasadave të Iranit dhe Irakut në Kopenhagë. Grupi kishte fyer më parë Islamin duke sulmuar flamurin turk dhe Kuranin përpara Ambasadës së Türkiye-s në Kopenhagë më 14 prill.

MARKETING