Studim: 94 për qind e shteteve konsumojnë ushqim të tepërt
Sipas një studimi të kryer në Universitetin e Oksfordit, 94 për qind e vendeve konsumojnë më shumë ushqim sesa sasia e rekomanduar në renditjen e bërë bazuar në konsumin ditor të kalorive të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu.
Sipas gazetës “Daily Mail”, në 173 nga 184 vendet e ekzaminuara në studimin “OurWorldInData” të Universitetit të Oksfordit, u zbulua se njerëzit konsumojnë më shumë se 2.000-2.500 kalori të rekomanduara ditore për të dyja gjinitë.
Të dhënat e përdorura janë llogaritur mbi sasinë mesatare të ushqimit të blerë nga çdo familje.
Bahreini, me 4.012 kalori, SHBA-ja me 3.868 kalori, Irlanda me 3.850 kalori, Belgjika me 3.824 kalori dhe Türkiye me 3.762 kalori janë në top-pesëshin e listës, ndërsa Republika e Afrikës Qendrore është në fund të listës me 1.641 kalori.
Studimi zbuloi gjithashtu se në Bahrein, katër nga dhjetë të rritur vuajnë nga obeziteti.
Türkiye është vendi i pestë me konsumin e kalorive
Në studim, në të cilin Türkiye renditet e pesta me një mesatare prej 3.762 kalorish, thuhet se konsumimi i tepërt i ushqimit është për arsye të tilla si orari joproduktiv i gjumit, puna me orar të gjatë, ekspozimi ndaj ndotjes nga drita dhe jeta stresuese.
Në studim thuhet se konsumimi i tepërt i ushqimit është shkaktari i parë i obezitetit dhe numri i rasteve në mbarë botën, i cili ishte 175 milionë në vitin 1970, sot ka arritur në 1 miliard.
Studimi tërheq vëmendjen për rrezikun e rritjes së përqindjeve të obezitetit, duke thënë se sëmundja në fjalë mund të shkaktojë hipertension, sëmundje të zemrës, Alzheimer dhe probleme të tjera shëndetësore.
Po ashtu theksohet se megjithëse kaloritë e ushqimit rriten dita-ditës, elementet ushqyese ulen dhe rezultati është që njerëzit fillojnë të hanë më shumë për të marrë më shumë lëndë ushqyese të dobishme.
Të dhënat e hulumtimit janë marrë nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO).