Kurti pas takimit me Lajçakun: Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe këshilltarin e tij politik, Jeton Zulfaj, priti sot në zyrën e tij emisarin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili erdhi për takim së bashku me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog, dhe bashkëpunëtorët e tij Christian Ramet e Mikko Väyrynen.
Zyra e Kryeministrit njofton se në fillim të këtij takimi, Kurti potencoi që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik.
Në vijim, ai shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për de-eskalim dhe normalizim.
Theksoi që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon asesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike.
Po ashtu, Kryeministri Kurti konfirmoi që Policia e Kosovës e vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk ka ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre objekteve.
Në lidhje me rrugën përpara, Kryeministri Kurti tha që neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikmëri mbështetë procedurat ligjore.
Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet./Telegrafi/