Kurti: Kemi identifikuar 45 persona për sulmet në veri

Kurti: Kemi identifikuar 45 persona për sulmet në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e Kosovës kanë identifikuar 45 persona, që sipas tij, kanë marrë pjesë në sulmet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

“Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona – identifikim i saktë – që kanë marrë pjesë në sulme, në dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Por, njëkohësisht kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës te shok bombat, por edhe të plumbave qofshin ata të automatikëve ose revolverëve”, tha Kurti gjatë një prononcimi për gazetarë më 3 korrik.
Deri më tani, Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona për sulmet ndaj gazetarëve, por edhe për ngjarjet e dhunshme të 29 majit në Zveçan. Atë ditë, protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Kurti tha se as “as çereku” i të dyshuarve për sulmet në veri nuk janë arrestuar, “prandaj e kemi këtë situatë”.

Tensionet në veriun e Kosovës nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – nën asistimin e policisë – hynë në ndërtesat komunale, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.

Së fundi janë shpeshtuar edhe sulmet me shok-bomba dhe granata dore.

Shpërthimi i fundit në këtë zonë u regjistrua në orët e para të 3 korrikut në Mitrovicë të Veriut. Shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një shok-bombë.
Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” – organizata që besohet se veprojnë në veri të Kosovës – organizata terroriste.

Shtetet e Bashkuara thanë se Qeveria e Kosovës nuk u koordinua me ta dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për këtë vendim.

Kur u pyet për reagimin e Uashingtonit, Kurti tha se Kosova ka “fakte dhe dëshmi të panumërta se bëhet fjalë për organizata terroriste”.

MARKETING