Von der Leyen bisedon me Kurtin, kërkon shtensionim urgjent të situatës në veri dhe kthim në dialog
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin Albin Kurti.
Ajo nëpërmjet një postimi në “Twitter” ka theksuar se në bisedë me Kurtin ka theksuar nevojën urgjente për shtensionim dhe kthim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë ditës do të bisedojë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kujtojmë se po mbrëmë kryeministri Kurti rreth situatës në veri dhe zhvillimeve të fundit, pati edhe një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Blinken përsëriti sërish kërkesën për shtensionim të situatës në veri dhe kthim në dialog, teksa u ka kërkuar dy palëve të kthehen në dialog.
Në telefonatën e tij me kryeministrin Kurti, sekretari Blinken përsëriti thirrjen që kryetarët e tre komunave të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të bojkotuara nga partitë serbe, të punojnë nga vende alternative.
Blinken po ashtu përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për planin trepikësh të BE-së për të cilin tha se është rruga përpara.