Kurti: Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përballet me krimet që ka kryer

Kurti: Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përballet me krimet që ka kryer

Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hedh poshtë akuzat nga Brukseli dhe Uashingtoni. Ai mendon se Serbia duhet të përgjigjet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në muajin mars ka paraqitur një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe me kushtet kryesore.
“Duhet të njihet kushtetutshmëria e Republikës sonë. Asociacioni nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv dhe nuk mund të krijohet nivel shtesë i qeverisjes. Por sapo përmendet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, zoti Vuçiq nuk dëshiron të dëgjojë asgjë për të”, thekson Kurti.
“Kur e takoj zotin Vuçiq”, thotë Kurti, “më duket gjithmonë se ai dëshiron të kthehet në kohë: herë në vitin 1999 kur u çliruam, herë para vitit 2008 kur shpallëm pavarësinë dhe herë para 27 shkurtit të këtij viti, kur ai i tha ‘Po’ marrëveshjes së paraqitur nga BE-ja në Bruksel, por të cilën nuk e nënshkroi”.
Ai ka folur edhe për deklaratat e diplomatëve perëndimorë që e konsiderojnë atë partner të vështirë dhe e akuzojnë si kokëfortë.
“Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”, deklaron Kurti.
Ai shton se i ka dëgjuar “miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë” kur kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve si dhe për zhvendosjen e vendit të betimit të kryetarëve të bashkive “për të shmangur skenat triumfuese”. Por thotë se kryetarët e komunave duhet të shkojnë në zyrat e tyre.
Kryeministri jep përgjigje edhe për atë se si e vlerëson faktin se “Bashkimi Evropian e kërcënon Kosovën me sanksione, ndërsa është jashtëzakonisht i butë ndaj Beogradit”.
“Miqtë tanë në BE dhe SHBA kanë pak pritshmëri nga Beogradi”. Kjo është arsyeja pse çdo gjest pozitiv i Beogradit është i mbivlerësuar dhe i fryrë. Në të njëjtën kohë, ata kanë shpresa të mëdha për Serbinë në planin afatmesëm. Një politikë e tillë krijon probleme sigurie për të gjithë fqinjët e Serbisë”, deklaron Kurti.
Ai është pyetur edhe lidhur me interpretimet se BE-ja dhe SHBA-ja duan të përdorin politikën e tyre me qëllime të mira për të ndarë Vuçiqin nga lidhjet e tij të ngushta me Putinin dhe kështu ta lidhin atë më afër vetes.
“Diçka e tillë mund të funksionojë me një demokrat, por jo me një autokrat. Një autokrat do ta shohë çdo akt bujarie ose tolerance si një shenjë frike ose dobësie”. Prandaj, thotë ai, “duke menduar se koncesionet do ta joshin zotin Vuçiq të kthehet drejt Perëndimit – do të arrihet pikërisht e kundërta”.
Kurti në këtë intervistë ka thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përballet me krimet.
“Nuk mund të ketë besim të plotë derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe derisa nuk përballet me krimet që ka kryer gjatë luftës”, është shprehur Kurti. / DW

MARKETING