Rusia kundërshton praninë e presidentit francez në samitin e BRICS-it

Rusia kundërshton praninë e presidentit francez në samitin e BRICS-it

Rusia kundërshtoi pjesëmarrjen e presidentit francez Emmanuel Macron në samitin e ardhshëm të grupit BRICS në Afrikën e Jugut, duke e konsideruar atë “të papërshtatshme” për shkak të politikës “armiqësore dhe të papranueshme” të Francës ndaj Rusisë, transmeton Anadolu.

Reagimi i Moskës zyrtare erdhi vetëm disa ditë pasi ministrja franceze e Evropës dhe Punëve të Jashtme, Catherine Colonna, tha se ajo kishte informuar Afrikën e Jugut, që është nikoqire e samitit, për vullnetin e presidentit francez Macron për të marrë pjesë në samitin e BRICS në gusht si një “palë vëzhguese”.

Përderisa i takon vendit nikoqir të vendosë nëse do të ftojë Macron-in apo jo, politika “armiqësore” e Francës ndaj Rusisë duhet të merret parasysh, u tha gazetarëve në Moskë zv.ministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov.

“Është e qartë se liderët e një shteti që ndjekin një politikë kaq armiqësore dhe të papranueshme për ne, duke argumentuar kaq prerazi dhe me bindje se Rusia duhet të izolohet ndërkombëtarisht dhe ndajnë politikën e përgjithshme për të na shkaktuar të ashtuquajturën ‘disfatë strategjike’, lideri i një vendi të tillë është i papërshtatshëm si i ftuar në BRICS”, tha ai.

Ryabkov theksoi se Rusia informoi lidershipin e Afrikës së Jugut për pozicionin e saj dhe pret që këndvështrimi i saj të “pranohet plotësisht”.

Diplomati i lartë rus vuri në dukje se vendet e BRICS-it, ku bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, po diskutojnë aktualisht zgjerimin e formatit dhe një nga kushtet për t’u anëtarësuar në këtë organizatë është ndjekja e një politike që ndalon përdorimin e sanksione të njëanshme kundër ndonjë prej shteteve anëtare.

“Është e qartë se Franca nuk e përmbush në asnjë mënyrë këtë kriter. Edhe nëse puna për diskutimin e kritereve vazhdon, Franca ndjek vijën e kundërt”, tha ai.

Kur u pyet për raportimet se SHBA dhe Irani po mbajnë “bisedime sekrete” për të rivendosur Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), i njohur si marrëveshja bërthamore e Iranit, Ryabkov tha se një praktikë e tillë është përdorur në të kaluarën.

“Të gjitha sekretet do të zbulohen një ditë. Është e qartë. Ne kemi parë situata në të kaluarën ku SHBA dhe Irani kryen kontakte indirekte pas dyerve të mbyllura dhe nuk mund të përjashtohet që kontakte të tilla po ndodhin tani”, tha ai.

Rusia mbështet rivendosjen e JCPOA dhe pret që SHBA të kthehet në zbatimin e plotë. Përndryshe, Ryabkov tha se nëse arrihet ndonjë marrëveshje që devijon nga dokumenti i miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në vitin 2015, do të konsiderohet se vazhdon shkelja e kësaj rezolute nga Washingtoni.

Marrëveshja bërthamore e Iranit u nënshkrua në vitin 2015 nga Irani, SHBA, Kina, Rusia, Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe BE-ja. Sipas marrëveshjes, Teherani ra dakord të kufizojë aktivitetin e tij bërthamor për qëllime civile në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike kundër Iranit.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e tërhoqi në mënyrë të njëanshme Washingtonin nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosi sanksionet ndaj Iranit, duke e bërë Teheranin të ndalonte respektimin e marrëveshjes bërthamore.

MARKETING