Escobar dhe Lajçak takohen me Osmanin, paraqesin propozimet e BE për situatën në veri

Escobar dhe Lajçak takohen me Osmanin, paraqesin propozimet e BE për situatën në veri

Ka nisur takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Escobar e Lajçak po qëndrojnë në Kosovë që nga e hëna dhe qëllimi i vizitës së tyre është që gjejnë një zgjidhje për çtensionimin e situatës së krijuar në veri të Kosovës.
Ata janë takuar me kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit me Kurtin dy zyrtarët kanë njoftuar se i kanë prezantuar atij tri “propozimet e komunitetit ndërkombëtar” për situatën në veri. Këto propozime lidhen me qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe rikthimin e palëve në dialog.
Kryeministri Kurti ka ftuar Brukselin dhe Uashingtonin, të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të personave që shkaktuan aktet e dhunës në komunat me shumicë serbe.
Sot Escobar e Lajçak pritet të takojnë edhe liderët e opozitës dhe më pas do të nisen drejt Beogradit. Ndërkohë e marta ka nisur me prezencën e qindra protestuesve serbë, para tri komunave Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ata qëndrojnë nëpër tendat e improvizuara para ndërtesave komunale, ndërsa situata paraqitet e qetë.

MARKETING