(VIDEO) Pas sulmeve të djeshme ndaj KFOR-it, sot situatë më e qetë në veri të Kosovës

(VIDEO) Pas sulmeve të djeshme ndaj KFOR-it, sot situatë më e qetë në veri të Kosovës

Serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok edhe sot po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave. Dje pjesëtarët e KFOR-it ndërhynë në Zveçan dhe nga përleshjet me protestuesit serbë u plagosën 30 paqeruajtës ndërkombëtarë.

Sot në Zveçan protestues serbë janë mbledhur para ndërtesës komunale, të cilin po e ruajnë pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë.

Një numër i vogël i qytetarëve serbë janë tubuar para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit, ndërsa përfaqësues të Listës Serbe kërkuan sërish tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe daljen e kryetarit të ri shqiptar nga ndërtesa e komunës, si kusht për shpërndarjen e protestuesve.

Gjithashtu, protestues janë mbledhur afër objektit të Komunës së Zubin Potokut.

Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se gazetarët, që po përcjellin ngjarjet në veri, kanë cak i disa sulmeve. Persona të maskuar kanë sulmuar gazetarët, ndërsa njërit prej mediumeve i është thyer kamera.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë anuluar vizitën në Bratisllavë të Sllovakisë, ku ishte paraparë të merrnin pjesë në një konferencë për sigurinë globale. Prania e pritur e Kurtit dhe Vuçiqit, si dhe e Lajçakut në këtë konferencë, ishte parë si mundësi që të organizohet një takim i përbashkët i tyre. Për një takim të tillë, sipas burimeve diplomatike, Lajçak e ka pasur edhe mbështetjen e disa prej shteteve më të rëndësishme perëndimore.

Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjen e gazetarëve se shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell nuk ka folur lidhur me atë se kush i ka sulmuar ushtarët e KFOR-it. “Borrell] është përfaqësues për politikë të jashtme dhe siguri, dhe ai nuk është aty për të konstatuar se kush, kë e ka sulmuar. Ai po angazhohet për të ulur tensionet. Kjo situatë nuk ka ardhur vetvetiu, por është pasojë e rrethanave dhe zhvillimeve për të cilat janë përgjegjëse të dyja palët”, tha Stano.

Në anën tjetër, Rusia kërkoi nga Perëndimi që të ndalë së fajësuari për incidentet në Kosovë serbët e dëshpëruar, të cilët sipas Moskës po tentojnë të mbrojnë të drejtat e tyre legjitime dhe lirinë, përmes mjeteve paqësore dhe pa armë. /SHENJA/

MARKETING