Kërcënohet kryeministri kroat, policia siguron ndërtesën e qeverisë
Kryeministri kroat Andrej Pllenkoviq u konfirmoi gazetarëve në Dubrovnik se më 12 maj është marrë një kërcënim telefonik ndaj tij personalisht dhe anëtarëve të Qeverisë së Kroacisë dhe se njësia për intervenim e policisë po siguron ndërtesën e Qeverisë në sheshin Markova të Zagrebit.
Ky kërcënim ndaj kryeministrit dhe qeverisë përkon me raportin e Shërbimit Informativ të Sigurisë – SOA lidhur me situatën e sigurisë në Kroaci në vitin e kaluar, i cili u publikua më 12 maj.
“Dhe tani ka një kërcënim, njësia për intervenim e policisë është aktualisht para Qeverisë sepse sot në mëngjes ka pasur një kërcënim të atij lloji ndaj meje dhe anëtarëve të Qeverisë”, tha Pllenkoviq në një deklaratë për mediat në Dubrovnik.
“Kjo ndodh gjatë gjithë kohës dhe ne duhet të punojmë për të shtypur grupet e tilla, duke angazhuar të gjitha shërbimet që merren me këtë çështje”, shtoi ai.
Pllenkoviq tha në Dubrovnik se “ishin dy grupe të identifikuara shumë qartë, të cilat ndërlidhnin një rreth njerëzish, me qëllim të përmbysjes së dhunshme të rendit kushtetues”.
Ai rikujtoi se para tre vjetësh, Danijell Bezuk shkoi në ndërtesën e Qeverisë, i armatosur me kallashnikov dhe filloi të qëllonte dhe në këtë rast u plagos rëndë polici Oskar Fiuri.
“Keni pasur një sulm terrorist nga Bezuk, para tre vjetësh, në Banske Dvori, jo domosdo për të plagosur policin Oskar Fiuri, por për të kryer një akt terrorist kundër Qeverisë, do të thotë, kundër kryeministrit, kundër meje. Për këtë nuk ka asnjë dilema”, shtoi kryeministri kroat.
Pllenkoviq vlerësoi se “ai i ri e ka bërë këtë për shkak të atmosferës dhe ambientit, në të cilin është rritur”.
“Dikush i dha armën, dikush e mësoi të shtinte, dikush e nxiti atë që të kishte atë moment vullneti që është më i rëndësishmi. Ishim me fat që nuk ia arriti qëllimit”, tha kryeministri.
Sulmi ndodhi më 12 tetor të vitit 2020. I riu, 22- vjeçar, më pas kreu vetëvrasje në një pyll aty afër, ndërkaq Prokuroria e Shtetit e cilësoi aktin e tij si terrorizëm./REL/