Akademikët muslimanë në Spanjë përballen me diskriminim
Akademikët spanjollë që konvertohen në Islam fshehin identitetin e tyre musliman në mënyrë që të mos dëmtohet karriera e tyre, tha të enjten një akademike e tillë që punon në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Duke folur për Anadolu, Luci Hurtado theksoi diskriminimin ndaj akademikëve muslimanë në universitetet në Spanjë.
Hurtado tha se ishte katolike përpara se të bëhej muslimane në vitin 2010.
Duke shpjeguar se ajo nuk mund të gjente përgjigje të qarta nga njerëzit përreth saj për pyetjet rreth krishterimit dhe se për Islamin mësoi gjatë hulumtimit të historisë së Spanjës për të kthjelluar mendjen e saj, Hurtado tha se vendimi i saj që të bëhej muslimane ishte një hap i madh, sepse ajo e dinte se do të përjashtohej nga rrethi i saj shoqëror pasi të konvertohej.
Hurtado tha se ajo hasi në reagime të forta dhe diskriminim kur i tha familjes dhe miqve të saj të ngushtë se ajo ishte muslimane, duke shtuar se babai i saj e refuzoi vendimin e saj për t’u konvertuar në Islam.
Ajo tha se iu bashkua një komuniteti që kishin themeluar muslimanët spanjoll për të bërë miq kur ajo u përjashtua nga rrethi i saj shoqëror. Ajo shtoi se edhe të tjerë si ajo u ankuan se ishin diskriminuar nga shoqëria.
Hurtado ka doktoruar në marrëdhëniet ndërkombëtare në një nga universitetet prestigjioze në Spanjë në vitin 2011 dhe se ajo nuk ishte diskriminuar sepse nuk mbante shami në atë kohë, por muslimanët spanjoll rreth saj u përjashtuan nga akademia.
Ajo vuri në dukje se akademikët spanjollë që janë muslimanë janë nën presion më të madh se akademikët muslimanë që vijnë nga vendet e huaja. Hurtado tha se kishte filluar të përballej me diskriminim edhe para jetës akademike.
“Presioni fillon para se të hysh në jetën akademike. Të hulumtojnë shumë kohë gjatë aplikimit. Kjo nuk është çështje procedurale. Profesorët e departamentit thërrasin profesorët e t’u në universitetin nga vjen dhe hetojnë nëse je musliman apo një person ‘radikal’. Nëse del se je musliman, nuk pranohesh në akademi. Nëse pyet njerëzit që e bëjnë këtë, ata e mohojnë sepse kjo që e bëjnë është e paligjshme”, tha ajo.
Hurtado vuri në dukje se akademikët spanjollë që u zbuluan se ishin muslimanë u cilësuan si “tradhtarë që tradhtuan vendin e tyre”.
Ajo tha se pedagogët spanjollë që janë muslimanë gjithashtu kanë vështirësi të mëdha për të aplikuar në universitete të tjera.
“Asnjë akademik spanjoll që zgjedh të bëhet musliman nuk do t’u përgjigjet pyetjeve që ju më bëni sepse kanë frikë se mos stigmatizohen dhe ekspozohen. Universitetet që ne aplikojmë shikojnë më shumë fenë tonë sesa karrierën tonë akademike. Nëse rezulton se jemi muslimanë, besueshmëria e artikujve, analizave dhe hulumtimeve tona do të vihet në dyshim”, thekson Hurtado.
Akademikja Hurtado tha se mentorët e doktoraturës nuk flasin kundër bullizmit akademik edhe pse ata mendonin se kjo ishte e gabuar, duke shtuar se nevoja që ndihet nga muslimanët spanjollët për të fshehur fenë e tyre u ka shkaktuar atyre stres dhe probleme psikologjike.