‘Bota në fokus’ – Si ‘shpërtheu’ popullsia e Indisë dhe kaloi Kinën?
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar së fundmi një raport e cila tregon se India ka zënë vendin e Kinës për numrin më të lartë të popullsisë, duke shënuar një ndryshim epokal në demografinë globale.
Dekada të politikave kufizuese që ndalojnë familjet që të kenë më shumë se një fëmijë, ngadalësuan në mënyrë dramatike shkallën e lindjeve në Kinë, duke i hapur kështu Indisë rrugën për t’u bërë vendi më i populluar në botë.
Por, sipas një analize të CNN, India mund të ketë kaluar Kinën në popullsinë totale, por të dhënat e OKB-së tregojnë gjithashtu se ritmi i saj i rritjes është ngadalësuar.
Si Kina ashtu edhe India kanë më shumë se 1.4 miliardë banorë dhe së bashku, ato përbëjnë më shumë se një të tretën e 8 miliardë njerëzve në botë.
Realisht është Afrika ajo që kryeson me normat e lindshmërisë. Sipas OKB-së më shumë se gjysma e rritjes së popullsisë së botës deri në vitin 2050 do të vijë nga vetëm 8 vende: Republika Demokratike e Kongos , Egjipti , Etiopia , India , Nigeria , Pakistani, Filipinet dhe Tanzania.
Avdi Bakiju /SHENJA/