Erdoğan: Putin mund të vizitojë Türkiyen për ‘hapin e parë’ për termocentralin bërthamor Akkuyu
Presidenti rus Vladimir Putin mund të vizitojë Türkiyen më 27 prill që centralit Akkuyu t’i jepet zyrtarisht statusi i një termocentrali bërthamor, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu.
“Putin mund të vijë më 27 prill, ose do të lidhemi së bashku nëpërmjet internetit, dhe shpresojmë se do të bëjmë hapin e parë”, tha Erdoğan në një intervistë të transmetuar drejtpërdrejt në A Haber dhe ATV.
Erdoğan tha se centrali Akkuyu është një nga “investimet e domosdoshme” të Türkiyes, duke shtuar se objekti do të ndihmojë vendin “të ruajë në masë serioze energjinë”.
Akkuyu, aktualisht në ndërtim e sipër në provincën jugore turke Mersin, do të jetë termocentrali i parë bërthamor i vendit.
Reaktori i parë i Akkuyus është vendosur të jetë funksional në vitin 2023, ndërsa i gjithë centrali do të funksionojë deri në vitin 2025. Projekti filloi me një marrëveshje ndërqeveritare të vitit 2010 midis Türkiyes dhe Rusisë.
Centrali, që pritet të ketë një kapacitet të instaluar prej 4.800 megavatësh dhe katër reaktorë, do të fillojë të prodhojë energji këtë vit.