Audi do të sjell 20 modele të reja deri në vitin 2025 – shumica do të jenë vetura elektrike
Audi ka njoftuar se do të lansojë rreth 20 modele të reja në dy vitet e ardhshme, teksa supozohet se t1% paktën e gjysma e tyre do të jenë elektrike. Shefi ekzekutiv i Audi, Markus Duesmann në një konferencë për media deklaroi se do të ketë një veturë elektrike e cila do të jetë si një nën-model i Q4 E-Tron SUV, me Autocar që raportoi se do të jetë një model i madhësisë së veturës A3.
Pritet që modeli ende i paemëruar – potencialisht i emërtuar si A3 E-Tron – do të bazohet në arkitekturën e veturave elektrike “SSP”, arkitekturë kjo e cila mund të ndahet me markat e tjera të Volkswagen Group – duke përfshirë këtu edhe Skoda-n dhe Cupra-n – atëherë edhe kur platforma do të prezantohet në vitin 2026.
Arkitektura SSP do të lejojë Audi-në që të zhvillojë versione të performancës të modeleve të vogla elektrike – versione potencialisht me bateri të veturave S3 dhe RS3, ose ekuivalentët e tyre – në një lëvizje të ngjashme nga Volkswagen, siç u raportua në tetor 2022, raporton Drive, transmeton Telegrafi.
Nuk është e qartë në këtë fazë nëse 20 veturat “e reja” do të përfshijnë përditësime dhe rindërtime të veturave ekzistuese, apo nëse numri i referohet modeleve krejtësisht të reja. Sipas z. Duesmann, kompania është “në prag të nismës më të madhe të produktit” me linjën e saj të ardhshme.
Audi ripohoi gjithashtu planet e saj për t’i dhënë fund prodhimit të të gjitha makinave të saj me motor me djegie të brendshme deri në vitin 2033, me ato modele me benzinë dhe naftë që do të zëvendësohen me vetura elektrike gjatë dekadës së ardhshme. “Në vitin 2022 shitjet e modeleve tërësisht elektrike u rritën me 44 për qind”, tha Duesmann.
“Në janar dhe shkurt 2023, shitjet tona të veturave tërësisht elektrike në mbarë botën u rritën pothuajse 40 për qind krahasuar me të njëjtët muaj të vitit të kaluar”, shtoi ai. Tutje shefi i Audi konfirmoi se deri më tani, Q8 E-Tron kishte 20,000 para-porosi, duke thënë se kërkesa për vetura elektrike po “lulëzon”.