`Everything Everywhere All at Once` fiton më së shumti çmime Oscar

`Everything Everywhere All at Once` fiton më së shumti çmime Oscar

“Everything Everywhere All at Once” është shpërblyer me çmimin Oscar për filmin më të mirë nga Akademia e Arteve në Shtetet e Bashkuara. Filmi trajton jetën e një familjeje kinezo-amerikane teksa tenton të zgjidhë disa probleme, në dimensione të ndryshme.

Ky film ka arritur të fitojë shtatë çmime brenda natës, përfshirë tre nga katër çmimet që janë ndarë për aktrimin më të mirë.

Çmimet i kanë fituar: Michelle Yeoh, Ke Huy Quan dhe Jamie Lee Curtis.

Yeoh e ka luajtur rolin e një pronareje të një lavanderie, e cila e kupton se ka superfuqi në universe alternative.

“Për të gjithë djemtë dhe vajzat e vogla që janë duke më shikuar sonte, kjo është shenjë e shpresës dhe mundësive”, ka thënë aktorja 60-vjeçare.

Quan, i lindur në Vietnam, e ka puthur statujën e Oscarit, teksa është renditur në mesin e emrave më të mëdhenj të këtij biznesi.

“Udhëtimi im ka nisur në një anije”, ka thënë Quan.

“E kam kaluar një vit si refugjat në kamp. Disi përfundova këtu në skenën më të madhe të Hollivudit”.

Curtis, 64-vjeçare, e cila e ka ndërtuar karrierën me filmat si “Halloween,” e ka fituar çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor.

“Sapo e fitova një Oscar”, ka thënë ajo e përlotur.

Ylli tjetër, Brendan Fraser, e ka fituar çmimin për aktorin më të mirë për rolin e tij në filmin “The Whale”.

Ai e luan rolin e një burri obez që tenton të rikthejë lidhjet me vajzën e tij.

Filmi gjerman “All Quiet on the Western Front” e ka fituar çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar.

Ai ka fituar edhe tri çmime tjera përgjatë natës.

Filmi shpërfaq pasojat e rënda të luftës më 1914, nga sytë e një të riu.

“Navalny,” film për helmimin e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny – i cili është arrestuar, pas kthimit të tij nga Gjermania në Rusi, më 2021 – e ka fituar çmimin për filmin më të mirë dokumentar.

“Aleksei, po e ëndërroj ditën kur do të jesh i lirë dhe kur shteti ynë të jetë i lirë”, ka thënë gruaja e tij, Yulia Navalnaya, teksa e ka marrë çmimin.

“Qëndro i fortë, i dashur”.

Ceremonia e 95-të e ndarjes së këtyre çmimeve është moderuar nga komediani, Jimmy Kimmel.

MARKETING