Kurti pas takimit në Bruksel: Jemi në rrugë të mbarë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbin

Kurti pas takimit në Bruksel: Jemi në rrugë të mbarë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbin

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se takimi i sotëm në Bruksel ishte pozitiv dhe konstruktiv.

“Sot patëm një takim pozitiv konstruktiv në Bruksel dhe ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm”.

“Unë qysh më herët pata thënë që është bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe është platformë specifike për të ecur përpara dhe tash ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit për çfarë do të ketë edhe diplomaci por do të ketë edhe takim të radhës të nivelit të lartë diku nga mesi i muajit mars, me ndërmjetësimin apo fasilitimin e zotit Borrell dhe Lajçak”, ka thënë Kurti pas takimit.

Ai thotë se tashmë fokusi do të jetë në zbatimin e këtij plani.

“Do të përdoret tash ajo që quhet diplomacia fluturuese”.

Kurti thotë se do të ketë takime të nivelit të lartë nga mesi i muajit mars me ndërmjetësimin e bashkimit evropian.

“Jemi në rrugë të mbarë, dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe për fqinjësi të mirë”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.

Kurti dhe Vuçiq takuan edhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përpara takimit të përbashkët.

Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes tyre – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin.

Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre qysh në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Propozimi evropian nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por përfshin zotimin e të dyja palëve për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, e ku bën pjesë edhe ajo për Asociacionin./Telegrafi/

 

MARKETING