Begaj-Kurtit: Shqipëria i gëzohet sukseseve të Kosovës dhe i qëndron pranë
Në prag të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet e afërta ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimin e ngushtë por edhe për domosdoshmërinë e kohës për sa më shumë koordinim dhe bashkërendim.
Sipas njoftimit nga Kryeministria, takimi filloi me falënderimin e kryeministrit Kurti për vizitën dhe për pjesëmarrjen e presidentit Begaj në kremten zyrtare të përvjetorit të Pavarësisë. Duke i uruar kryeministrit Kurti dhe popullit të Kosovës 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, presidenti Begaj u shpreh se Republika e Shqipërisë i gëzohet sukseseve të Kosovës dhe i qëndron pranë në synimet e saj.
Ata folëm për marrëdhëniet e afërta ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimin e ngushtë, por edhe për domosdoshmërinë e kohës për sa më shumë koordinim dhe bashkërendim.
15 vjet pas pavarësisë së Kosovës, Kosova dhe Shqipëria kanë gjithsej 171 marrëveshje, protokolle e memorandume në fusha si ajo e sigurisë, tregtisë, arsimit e kulturës. Vetëm në dy mbledhjet e fundit të dy qeverive janë nënshkruar 41 marrëveshje, zbatimi i të cilave ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, bizneseve e më gjerë dhe ka zgjidhur problematika të mbartura ndër vite, thuhet në njoftim.
Në këtë kontekst, Kryeministri Kurti dhe presidenti Begaj diskutuan për rëndësinë e zbatueshmërinë sa më lartë të marrëveshjeve të nënshkruara e prej të cilave përfitojnë para se gjithash e më së shumti qytetarët.
Çështje trajtimi ishin edhe zhvillimet politike në të dy vendet por edhe në rajon, sikurse edhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri Kurti e falënderoi presidentin Begaj për interesimin, angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të tij për Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj./Telegrafi/