Zelensky nga Britania e Madhe: Londra na qëndroi pranë që ditën e parë të luftës, fitorja do ndryshojë botën
Volodymyr Zelensky mbërriti sot në Mbretërinë e Bashkuar, vizita e tij e parë në këtë shtet që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës një vit më parë.
Presidentit ukrainas iu rezervua një pritje mjaft e ngrohtë nga kryeministri britanik Rishi Sunak. Zelensky do të vizitojë më vonë gjatë ditës trupat ukrainasë që trajnohen nga forcat britanike, ndërsa i është drejtuar sakaq me një fjalim parlamentit britanik, ku përcolli mirënjohjen e thelle për mbështetjen e pakursyer që Anglia i ofroi që në fillim vendit të tij.
“Mbretëria e Bashkuar shpalosi karakterin e fortë britanik që nga fillimi i luftës. Londra qëndroi në krah të Kievit që nga dita e parë e sulmit të Moskës. Botës i nevojitet lidershipi juaj. Ne e dimë se liria do të triumfojë, e Rusia do të humbë. Fitorja e Ukrainës do të ndryshojë botën.“- tha Zelenksy.
Pikërisht në ditën e vizitës së tij, qeveria britanike njoftoi se trajnimi që u bën forcave ukrainase do të zgjerohet dhe në stërvitje do të përfshihen edhe pilotët e avionëve luftarakë dhe marinsat.
Zelensky iu drejtua ligjvënësve britanikë në marsin e vitit të kaluar, përmes një lidhjeje-video nga Kievi. Në kryeqytetin ukrainas sakaq mbërriti ministri i ri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, i cili tha se duhet të pajisen të paktën tre batalione deri në tremujorin e parë ose të dytë të vitit të ardhshëm. Dorëzimi do të bëhet në faza.
Deri në verë, duhet të dorëzohen 20-25 tanke, dhe deri në fund të vitit rreth 80 tanke. Pistorius nuk specifikoi se cilat vende evropiane, përveç Gjermanisë, do të përfshiheshin në dërgimin e tankeve. Më herët, revista “Der Spiegel” raportoi se në fillim të javës Këshilli Federal i Sigurimit autorizoi dërgimin në Ukrainë të 178 tankeve Leopard 1 nga stoqet industriale.