OBSH shpalli tërmetin në Türkiye “emergjencë të shkallës së tretë”

OBSH shpalli tërmetin në Türkiye “emergjencë të shkallës së tretë”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i shpalli tërmetet në Türkiye dhe Siri “emergjencë të shkallës së tretë”, me një periudhë kohore kritike prej 48 orësh për të shpëtuar njerëzit që janë bllokuar nën rrënoja, transmeton Anadolu.

Drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge tha për “Sky News” se ata po i drejtojnë të gjitha burimet në këto dy vende, duke shtuar se “çështja kryesore tani është kërkimi dhe shpëtimi”.

“Çdo fatkeqësi është e ndryshme. Dhe sigurisht, puna që zhvillohet për të arritur deri te njerëzit është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris, gjithashtu për “Sky News”.

Ajo shtoi se niveli i humbjeve nga të dyja vendet “do të marrë kohë” për t’u ditur përfundimisht.

“Gjëja e rëndësishme është të parandalohet që njerëzit që janë plagosur ose janë prekur nga tërmeti, të mos vdesin”, shtoi ajo.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, me qendër në provincën Kahramanmaraş, goditën 10 provinca dhe prekën më shumë se 13 milionë njerëz.

Disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin, ndjenë dy tërmetet e fuqishme që goditën Türkiye-n në më pak se 10 orë.

MARKETING