Ministri turk i Energjisë: Tërmeti ka dëmtuar infrastrukturën e energjisë

Ministri turk i Energjisë: Tërmeti ka dëmtuar infrastrukturën e energjisë

Tërmeti që goditi Türkiye-n në orët e hershme të së hënës, shkaktoi dëme serioze në infrastrukturën energjetike në qytetin turk Kahramanmaraş, tha ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dönmez, raporton Anadolu.

Tërmeti me magnitudë 7.7 ballë ndodhi në qarkun Pazarcık në qytetin Kahramanmaraş dhe ka prekur gjithashtu disa qytete fqinje. Numri i jetëve të humbura në Türkiye deri më tani ka arritur në 284 dhe 2.323 janë të plagosur.

Dëme janë shkaktuar në linjat e transmetimit të energjisë elektrike si dhe në linjat e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, tha ministri Dönmez.

Dönmez konfirmoi se dëmtimi i linjës kryesore të transmetimit të gazit natyror në qarkun Turkoglu të Kahramanmaraşit afër epiqendrës, ishte një nga infrastrukturat më të dëmtuara.

“Kjo është linja jonë kryesore e transmetimit që transporton gazin natyror në Gaziantep, Hatay dhe Kilis, veçanërisht në Kahramanmaraş. Mund të ketë ndërprerje në këto provinca”, tha ai.

Ekipet po punojnë për riparimin e linjave të dëmtuara, tha ai, duke shtuar se rreth 30 nënstacione që i përkasin Transmetimit të Energjisë Elektrike të Türkiye-s (TEIAS) pësuan dëmtime në shkallë të ndryshme.

“Kemi dërguar termocentrale mobile në rajon. Veçanërisht, do të përpiqemi të furnizojmë me gaz natyror dhe energji objektet si spitale, kuzhinat dhe furrat e bukës, si me metodën e transportit të gazit natyror të kompresuar (CNG) ashtu edhe me gjeneratorë mobil”, tha Dönmez.

MARKETING