(VIDEO) Tre bullgarët e arrestuar dënohen me nga 300 euro, u ndalohet hyrja për tre vjet

(VIDEO) Tre bullgarët e arrestuar dënohen me nga 300 euro, u ndalohet hyrja për tre vjet

Gjykata ka caktuar gjobë në shumë prej 300 euro dhe masën e dëbimit nga vendi por edhe ndalim hyrjeje në vend në afat prej tre vitesh për tre shtetasit bullgarë, të cilët u ndaluan në pikën kufitare “Deve Bair” për prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

Shtetasit bullgarë, 35-vjeçari me inicialet G. Z., 50-vjeçari A.H., dhe 54-vjeçari R.H, siç njofton MPB-ja, janë ndaluar rreth orës 12:45, pasi pas sharjeve, kanë tentuaar të sulmojnë fizikisht policët e Maqedonisë së Veriut.

Arrestimi i tyre ishte kulmi i tensionit të u shkaktua dje në pikën kufitare me Bullgarinë, ku për shkak të rënies së sistemit për disa orë u bllokuan qytetarët nga vendi fqinj që ia mësynë Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në ceremonitë për përvjetorin e lindjes së revolucionarit Goce Delçev.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski e ka lavdëruar angazhimin e oficerëve policorë gjatë ditës së djeshme.

OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I BRENDSHËM

“E vlerësoj profesionalizmin dhe përkushtimin e të gjitha njësive organizative në MPB në planin operativ jashtëzakonisht të mirë zbatuar në fushën e ruajtjes së sigurisë gjatë kremtimit të ditëlindjes së Goce Dellçevit. Si para varrit të të madhit Dellçev pranë kishës ‘Sveti Spas’, si dhe në pikat kufitare, policia deri në detyrë e realizoi me sukses këtë ngjarje të nivelit më të lartë të sigurisë – shembull i mrekullueshëm se si vepron policia e rangut evropian”.

Por, kreu i policisë ka tërhequr vërejtjen se policia nuk do të lejojë poshtërimin e popullit maqedonas, siç ka vlerësuar Spasovski. /SHENJA/

 

MARKETING