Deputetja Kearns: Britania nuk do të mbështesë krijimin e një enklave serbe në Kosovë
Deputetja britanike, Alicia Kearns, gjatë një debati në Parlament, lidhur me çështjen e Ballkanit Perëndimor, ka folur edhe për Kosovën.
Në një video që ka shpërndarë edhe në rrjetin social Twitter, ka thënë se ndjehet më e lehtësuar ndërsa Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, ka konfirmuar se nuk e mbështetë krijimin e enklavës serbe në Kosovë përmes Asociacionit.
Ajo shtoi se për Britaninë është e rëndësishme të mos rrënjoset më tej etno-nacionalizmi në Ballkan.
“Shumë e lehtësuar kur dëgjova Qeverinë të konfirmojë se nuk do të mbështesë krijimin e një enklavë serbe në Kosovë. E rëndësishme është që ne të mos e rrënjosim më tej etno-nacionalizmin në Ballkan”, shkroi Keans.
Më hërët, gjatë të martës, ambasadori Nicholas Abbott, ka thënë se Kosova është vend multietnik dhe komunat e saj do të mbeten multietnike.
Tutje ka shtuar se nuk bëhet fjalë për krijimin e një enklave monoetnike.
“Një organ i tillë nuk është vetëm një angazhim ndërkombëtar, por gjithashtu ofron një mundësi për serbët e Kosovës që të jenë pjesë integrale e Kosovës. Kosova është një vend multietnik dhe komunat e saj do të mbeten multietnike. Nuk bëhet fjalë për krijimin e një enklavë monoetnike”, ka shkruar Abbott në Twitter.
Çështja e Asociacionit, u diskutua edhe në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.
Ambasadori Jeff Hovenier tha gjatë ditës se SHBA-ja e ka bërë të qartë tashmë se nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës ose që kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik të saj.
“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, deklaroi Hovenier./Telegrafi/