Kryeministri kroat reagon ndaj presidentit Millanoviq: Tashmë ai është yll jo vetëm në mediat ruse, por edhe në ato serbe
Kryeministri Andrej Plenkoviq, është zyrtari më i lartë i Kroacisë që ka reaguar pas deklaratës së presidentit të këtij vendi, Zoran Millanoviq, në lidhje me Kosovën, i cili ka thënë se “Kosova u rrëmbye nga Serbia”.
“Asnjë shtet nuk e ka aneksuar Kosovën. Me sa di unë, Kosova është një shtet i pavarur që Kroacia e ka njohur 15 vjet më parë. Kosova është subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Nëse dikush do ta kishte aneksuar, atëherë do ta kishte marrë nga territori i një vendi dhe do ta aneksonte në një tjetër”, ka thënë fillimisht kryeministri Plenkoviq, shkruajnë mediat kroate, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, e rëndësishme këtu është se Kosova është shtet i pavarur me të cilin Kroacia ka marrëdhënie diplomatike.
“Millanoviq tashmë është një yll jo vetëm në mediat ruse por edhe në ato serbe”, ka thënë më tej kryeministri Plenkoviq.
Reagimi tij vjen pas një reagimi të ashpër që ka ardhur edhe nga partia në pushtet në Kroaci, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ).
Kjo parti ka kritikuar ashpër presidentin Millanoviq për deklaratën e tij se “Kosova u mor nga Serbia”.
Ai gjithashtu kishte thënë se Krimea nuk do të jetë më Ukrainë, andaj sipas tij, nuk duhet t’i dërgohen armë, sepse siç ka vlerësuar ai, kjo vetëm do të zgjaste luftën.
Në këtë drejtim, HDZ-ja thotë se nuk është problem për Millanoviçin të turpërohet dhe të debatojë me aleatët e Kroacisë, kur ai duhet të mbrojë presidentin rus Vladimir Putin.
Ndryshe, një reagim gjatë ditës ndaj deklaratës së presidentit kroat ka ardhur edhe nga deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj.
Ajo ia ka shpjeguar Millanoviqit se procesi i pavarësisë së Kosovës ishte i njëjtë sikurse ai i Kroacisë.
“… Republika e Kosovës u krijua në procesin e shpërbërjes së RSFJ-së, e njëjtë me Republikën e Kroacisë. Është e rëndësishme të theksohet se sipas Kushtetutës së RSFJ-së, Krahina Socialiste Autonome e Kosovës ishte jo vetëm krahinë në kuadër të RV të Serbisë, por edhe element konstituiv i federatës…”, ka shkruar ndër tjerash ajo në Facebook. /Telegrafi/