Unioni i Shqiptarëve në Kroaci i reagon Millanoviçit: Jemi të zhgënjyer me deklaratën për Kosovën
Presidenti kroat Millanoviq kritikoi vendet perëndimore duke thënë se Rusia do të përdorë atë që ai e quajti “aneksim i Kosovës” nga komuniteti ndërkombëtar, si një justifikim për marrjen e pjesëve të Ukrainës.
Në konferencën e sotme për shtyp të mbajtur në Petrinja, Presidenti i Republikës së Kroacisë tha ndër të tjera:
“Rusët janë cinik, do të thirren në aneksimin e Kosovës, që unë e mbështesë”, tha presidenti kroat.
“Ne e njohëm Kosovën kundër vullnetit të një shteti (Serbisë) të cilit i përkiste Kosova”, tha ai, duke tërhequr vërejtjen se nuk po e vinte në dyshim pavarësinë e Kosovës por konceptin e standardeve të dyfishta perëndimore.
Ndërkaq reagimi i menjëhershëm i gazetarit ishte, “kush e ka aneksuar Kosovën?”
“Faktori ndërkombëtar, ne. Kosova është marrë nga Serbia. A e kemi njohur Kosovën, po. A qëndroj me Kosovën, po. Por kur diçka bëhet pa vullnetin e shtetit, të cilës Kosova i përkiste, e që është Serbia – ishte vetëm çështje kohe kur rusët apo pala e tretë do ta bënte të njëjtën gjë”, shtoi Millanoviq.
Këto deklarata kanë shqetësuar Unionin e Shqiptarëve në Kroaci.
Ata shprehen shumë të habitur në lidhje me deklaratat e presidentit Millanoviq.
“Duke ditur historinë tonë të përbashkët, të cilën e kaloi Republika e Kroacisë në fillim të viteve 90-të dhe Kosova në vitin 98/99, unë jam thellësisht i habitur dhe i zhgënjyer nga deklarata e Presidentit Millanoviq”, shprehet kryetari i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë.
“Meqë të dy kombet tona janë lidhur që nga lufta në Republikën e Kroacisë, kur shqiptarët dolën vullnetarë për mbrojtjen dhe krijimin e Republikës së tanishme të Kroacisë, një deklaratë e tillë nuk është e përshtatshme për marrëdhëniet tona të thella e miqësore që kemi ndërtuar deri më sot”.
“Republika e Kroacisë ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe vendosi marrëdhënie diplomatike dhe politike bazuar në partneritetin, bashkëpunimin dhe ushqyerjen e vlerave evropiane”, thuhet tutje në reagim.
“Gjithashtu, Republika e Kroacisë mbështet fuqishëm përpjekjet e Republikës së Kosovës për integrimin e saj euro-atlantik dhe forcimin e pozitës së saj në Evropën Juglindore.
Prandaj, si President i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, shpresoj se do të vazhdojmë të kemi Republikën e Kroacisë si një partner në udhëtimin tonë evropian dhe se miqësia jonë vetëm sa do të na forcojë dhe do të na lidhë më shumë”, thuhet tutje në deklaratë./Telegrafi/