Kalifornia në gjendje të jashtëzakonshme, të paktën 19 të vdekur nga moti i keq
Kalifornia ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme mes motit të ashpër që ka goditur “Golden State” me të paktën 19 persona të vdekur, ndërprerje të panumërta të energjisë elektrike dhe rrëshqitje të dheut, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje mijëra njerëzve të evakuojnë shtëpitë e tyre.
Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi urdhrin përkatës, në të cilin ofrohet ndihma federale për të mbështetur përpjekjet e autoriteteve si dhe të popujve indigjenë në territoret e tyre, në zonat e prekura nga stuhitë e forta, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.
Urdhri ekzekutiv gjithashtu vë në dispozicion fondet e qeverisë federale për të prekurit në qarqet Merced, Sacramento dhe Santa Cruz, tha Shtëpia e Bardhë. Pas motit të ashpër, banorët në Kaliforni po përgatiten për një tjetër shi të madh sot pas tre javësh nivele rekord shiu.
Shiu dhe reshjet e borës në male përfshinë dje shumë zona të shtetit, më të populluarat në SHBA. “Nuk ka mbaruar,” paralajmëroi guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom duke vënë në dukje se edhe nëse intensiteti i shiut lehtësohet, toka tashmë është e ngopur me ujë dhe ekziston ende një rrezik i konsiderueshëm për përmbytje.