Informacionet e klasifikuara në shtëpinë e presidentit Biden, gjenden dokumente të tjera në bibliotekën private të tij!
Avokatët e Presidentit Joe Biden gjetën dokumente të tjera të klasifikuara përveç atyre që ishin njoftuar më parë, në shtëpinë e tij në Uilmington, Delauer, konfirmoi të shtunën Shtëpia e Bardhë.
Njoftimi më i fundit pason gjetjen e dokumenteve në muajin dhjetor në garazhin e Biden në Uilmington dhe në nëntor në ish-zyrën e tij në Qendrën Penn Biden në Uashington, nga periudha kur ai ishte nënpresident, raporton Zëri i Amerikës. Trajtimi i dokumenteve të klasifikuara dhe të dhënave zyrtare nga administrata Obama është duke u hetuar nga prokurori Robert Hur, i cili u caktua si prokuror i posaçëm të enjten nga Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland.
Sauber u shpreh në një deklaratë të shtunën se avokatët personalë të zotit Biden, të cilët nuk kanë çertifikata sigurie, kishin ndalur kërkimet pasi gjetën faqen e parë të mërkurën në mbrëmje. Zoti Sauber gjeti materialet e tjera të enjten, ndërsa po ndihmonte në procesin e dorëzimit tek Departamenti i Drejtësisë.
“Kur po ua dorëzoja dokumentet zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë që më shoqëronin, pesë faqe të tjera me shënimin të klasifikuara u zbuluan mes materialeve, një total prej gjashtë faqesh”, tha zoti Sauber. “Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë që ishin me mua, i morën ato menjëherë”.
Sauber është shprehur më parë se Shtëpia e Bardhë ka “besimin se nga një shqyrtim i hollësishëm do të rezultojë se dokumentat ishin vendosur aty gabimisht, dhe se presidenti dhe avokatët e tij vepruan menjëherë sapo u zbulua ky gabim”.
Deklarata e Sauber nuk shpjegon përse Shtëpia e Bardhë priti dy ditë për të ofruar një informacion të përditësuar për numrin e dokumentave të klasifikuara. Shtëpia e Bardhë po përballet tashmë me kritika për pritjen prej mbi dy muajsh për ta bërë të ditur zbulimin e dokumenteve fillestare në zyrën e Biden.
Të enjten, e pyetur nëse Presidenti Biden mundet të garantojë se nuk do të rezultonin dokumente të tjera të klasifikuara gjatë kërkimeve të mëtejshme, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve se “duhet të arrini në përfundimin se është përmbyllur, po”.
Sauber përsëriti të shtunën se Shtëpia e Bardhë do të bashkëpunojë me hetimin e prokurorit Hur.
Bob Bauer, avokati personal i presidentit, tha se ekipi i tij ligjor është “përpjekur të ruajë balancën mes rëndësisë për transparencë publike aty ku është e përshtatshme brenda normave ekzistuese, dhe kufizimeve të nevojshme për të mbrojtur integritetin e hetimit”.
Departamenti i Drejtësisë historikisht ndjek kritere të larta ligjore përpara se të ngrejë akuza penale për rastet e trajtimit të informacionit të klasifikuar, me parakushtin që personi duhet të ketë patur synimin që të shkelë ligjin dhe jo që të ketë vepruar thjesht me pakujdesi apo neglizhencë. Legjislacioni kryesor për marrjen e paligjshme dhe rikthimin e dokumenteve të klasifikuara e konsideron vepër penale marrjen me vetëdije të dokumenteve të klasifikuara dhe mbajtjen e tyre në kushte të paautorizuara.
Rrethanat e rastit të Presidentit Biden, të paktën me sa dihet deri më tani, dallojnë nga një hetim tjetër për trajtimin e dokumentave të klasifikuara nga ish-Presidenti Donald Trump në klubin privat dhe tashmë banesën e tij në Florida.
Në rastin e ish-Presidentit Trump, prokurori i posaçëm Jack Smith po heton nëse dikush u përpoq ta pengojë hetimin për mbajtjen e të dhënave të klasifikuara në pronën në Palm Beach. Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë kanë thënë se përfaqësuesit e zotit Trump nuk zbatuan plotësisht një fletëporosi për rikthimin e dokumenteve të klasifikuara, duke i shtyrë kështu agjentët që të riktheheshin në objekt me një mandat kontrolli, në mënyrë që të mund të merrnin materialet e tjera.